“Demarkacioni me Serbinë”, vjen deklarata e fortë pas propozimit të Kurtit: Këtë gjë nuk do ta pranojnë kurrë serbët!

Politika

“Demarkacioni me Serbinë”, vjen deklarata e fortë pas propozimit të Kurtit: Këtë gjë nuk do ta pranojnë kurrë serbët!

Nga: A.M. Më: 15 shtator 2023 Në ora: 21:58
Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Kryeministri i Kosovës ka propozuar një plan sekuencimi për zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit, në kuadër të dialogut.

Në njërën nga pikat e propozimit të Kurtit është caktimi i kufirit me Serbinë brenda dy viteve.

“Marrëveshja zyrtarizon heqjen dorë formale të Serbisë nga të gjitha pretendimet etrritoriale ndaj territorit dhe kufijve të Kosovës dhe palët bien dakord për demarkacionin e kufirit në një periudhë dyvjeçare”, thuhet në nenin 2 dhe 3 të propozimit të Kurtit.

E këtë kërkesë të Kurtit e komentoi opinionisti Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

FIllimisht, ai tha se bisedimet duhet të fokusohen në kuadër të zbatimit të marrëveshjes së Ohrit.

“Së pari; unë mendoj se kryeministri Kurti nuk ka pasur nevojë të paraqes një Plan sekuencimi (zbërthimi) për zbatimin e marrëveshjes bazë të Brukselit (27 shkurt), ngase në Ohër (18 mars) palët kanë rënë dakord për zbatimin e Aneksit të marrëveshjes bazë prej 11 pikave (Plani franko-gjerman), me të cilin Aneks janë paraparë afatet si dhe koha e implementimit të 11 pikave të kësaj marrëveshjeje, ku siç dihet, prioritet numër një ka qenë puna e përbashkët e dy komisioneve gjegjëse për gjetjen e 1675 personave të zhdukur si dhe të atyre të bartur dhe të groposur në 16 varre masive nëpër Serbi, pastaj puna në njohjen e dokumenteve zyrtare si dhe të diplomave universitare, etj., për të cilat për shkak të tensioneve në veri të Kosovës, që nga takimi i Ohrit nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret në zbatimin e këtyre dy pikave të këtij Aneksi”, deklaroi opinionisti.

Gjjithashtu, Elezaj potencoi se nuk ka pasur nevojë për zbarthim plani franko-gjerman, sepse marrëveshjen finale do duhet të përfshihet edhe njohja reciproke.

Image
Rexhep Elezaj

“Së dyti; është Neni 2 i Planit të BE-së (franko-gjerman) i cili i obligon palët që ta njohin sovranitetin territorial të njëra tjetrës, të heqin dorë nga pretendimet territoriale si dhe për mos-cenimin e kufijve shtetëror, mendoj se kjo pikë kyçe e marrëveshjes bazë të Planit franko-gjerman, duhet të hyn si paragraf i veçantë në Marrëveshjen finale gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme, juridikisht obliguese për normalizim të marrëdhënieve midis dy shteteve si dhe e garantuar nga BE-ja dhe SHBA-të. Pra, kjo pikë e marrëveshjes bazë nuk ka pasur nevojë për sekuencim (zbërthim), sepse ka të bëjë me aktin juridik të njohjes reciproke midis njëra tjetrës, si dy shtete sovrane dhe të pavarura nga njëra tjetra”, shpjegoi ai.

Krahas kësaj, opinionisti konsideron se demarkimi i kufijve nuk mund të ndodhë pa e njohur Serbia Kosovën, kësisoj kjo gjë nuk mund të ndodhë pa ardhur njohja e pavarësisë nga shteti serb.

“Së treti; çështja e demarkimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, shikuar nga aspekti juridik, nuk mund të ndodhë dhe as që do të bëhet pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovës, meqë kufijtë midis shteteve janë pika më neuralgjike për dakordim, qoftë në aspektin politik, qoftë atë ekonomik dhe ushtarak, prandaj kjo çështje as nuk është e përfshirë në 11 pikat e Planit të BE-së për Kosovën, dhe as në Aneksin e implementimit të saj, sepse demarkimi dhe delimitimi i kufijve bëhet vetëm atëherë kur Serbia ta njeh Kosovën si shtet të pavarur, dhe jo më përpara, ngase kjo është normë universale e rregulluar me konventat ndërkombëtare kur bëhet fjalë për përcaktimin e kufijve shtetëror midis shteteve kudo në botë.

Pra, ofrimi i një propozimi të tillë nga ana e kryeministrit Kurti në takimin e djeshëm në Bruksel, duke marrë parasysh faktin, se regjimi aktual i Serbisë në krye me fashistin A. Vuçiq, kanë deklaruar, siç edhe po sillen qe 13 vite, se kurrë nuk do ta njohin pavarësinë e Kosovës, gjithnjë sipas tyre; krahinën jugore të Serbisë, propozimi për demarkimin e kufijve me Serbinë brenda dy viteve, del si hipokrizi politike, një akt i cili nuk mund të ndodhë dhe as nuk do të ndodhë, derisa Serbia ta njeh zyrtarisht Kosovën si shtet të pavarur dhe Sovran”, vlerësoi Elezaj.

Ndër të tjera, ai shtoi se propozimin e Kurtit nuk do e pranojë në asnjë mënyrë pala serbe.

“Prandaj, mendoj se propozimi i kryeministrit Kurti, i shpalosur në takimin e djeshëm në Bruksel, ka qenë i pavend si dhe i papranueshëm për palën serbe, meqë implementimi i çdo pike të Marrëveshjes bazë e arritur në Bruksel me 27 shkurt të këtij viti, është përcaktuar me Aneksin e arritur dhe të aprovuar nga të dyja palët në Ohër me 18 mars 2023, në implementimin e të cilave pika pala shqiptare duhet të insistojë dhe kërkojë në çdo takim të ardhëm mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb, A. Vuçiq. Ngase kjo është mënyra dhe rruga e vetme e mundshme për ta finalizuar dhe përmbyllur dialogun me Serbinë, gjithsesi pa asnjë kompromis të ri, me një Marrëveshje finale, të obliguese politikisht dhe juridikisht mes dy shteteve sovrane, për afër 12 vite në dialog të stërzgjatur dhe shumë të mundimshëm për përfaqësuesit shqiptar të Republikës së Kosovës, të cilës, Kosovës, dialogu dhe bisedimet me Serbinë gjenocidiale i është imponuar me “dhunë” nga faktorët ndërkombëtar, meqë statusi politik i Kosovës, pra pavarësia e saj ka qenë dhe mbetet temë e mbyllur, qoftë për faktorët ndërkombëtarë, qoftë për vetë Serbinë hegjemoniste, e cila një ditë dhe në një kohë të caktuar, do ta njeh pavarësinë e Kosovës, duke e pranuar më në fund, të vërtetën historike, se Kosova (Dardania) kurrë nuk ka qenë tokë dhe as territor i Serbisë hegjemoniste”, përmbylli Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat