“Rasti Toka” dhe “53 milionëshi”, dy aferat e pazgjidhura nga Drejtësia! Pse Pali e Syla janë “bossa” para Prokurorisë?

Politika

“Rasti Toka” dhe “53 milionëshi”, dy aferat e pazgjidhura nga Drejtësia! Pse Pali e Syla janë “bossa” para Prokurorisë?

Nga: Nehat Shaqiri Më: 15 shtator 2023 Në ora: 22:20
Pal Lekaj dhe Azem Syla

Njëri prej politikanëve më të pasur në Kosovë, është ish-ministri i Infrastrukturës, i njohur për skandalin e 53 milionëshit, Pal Lekaj.

Lekaj i cili vjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në deklarimin e tij të pasurisë, duket qartë se është prej atyre deputetëve që ka miliona euro tokë, shtëpia, vetura e çka jo se.

Për pasurinë e Pal Lekajt, është deklaruar edhe analisti politik, Gani Qarri, i cili thotë se me një rrogë deputeti konsiderohet si një ndër politikanët më të pasur.

“Ish ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, me një rrogë deputeti konsiderohet si njëri ndër politikbërësit më të pasur, pasuria e të cilit qysh në vitin 2017, kapte shifrën e miliona eurove, apo sipas përllogritjeve të atëhershme fillonte nga 1 milion e 500 mijë euro (1,500,000.00), kurse shtëpia e tij, asokohe kapte vlerën e 280 mijë eurove (280,000.00), tri vetura në vlerën prej 47 mijë eurosh, ndërsa, para ta gatshme, qysh me 2017 kishte deklaruar se posedon 75 mijë euro, në bankë, derisa në qershor të vitit 2022, ne media deklaronte se ka 1.8 milion euro pasuri”, thotë Qarri.

Qarri hedh dyshime për pasurinë e shpejtë të Lekajt & CO.

“Kur njeriu sheh shpejtësinë dhe shumën marramendëse se si pasurohen politikanët e partive të inkriminuara si Pal Lekaj & Co, lindin dyshime të bazuara, se pasuria e tyre, ka të bëjë edhe me keqpërdorimet e njohura e të panjohura të milionave të shtetit të Kosovës, në sektorët që politikan dhe ish ministra të dikastereve që kanë udhëhequr, rast për të cilin ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe tre të tjerë, si Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, për rastin e 53-milionëshit, vazhdon gjykimi në Gjykatën e Prishtinës”, shton ai.

Madje sipas tij, edhe me vet deklarimin e pasurisë, shihet se ish ministri Pal Lekaj është jo vetëm i pasur, por edhe një politikbërës i stërpasur opozitar.

“Ai me një rrogë deputeti në kushtet e Kosovës, pa manipulime dhe keqpërdorime financiare nga sektorët që ka kryesuar, do të ishte e pamundur dhe tërësisht imagjinare, që Pal Lekaj të arrinte pasurinë milionëshe që posedon, kohë kur ish ministri Bajram Hasani ishte pjesë e komunitetit drejtues ndërministror, i cili kishte kundërshtuar pagimin e 53 milionë eurove, por sipas dëshmisë së tij, ishte kërcënuar edhe nga drejtori i "Behtel Enka-s". Siç dihet tanimë publikisht, ish-ministri Lekaj dhe tre zyrtarët e tjerë, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri akuzohen nga gjyqësia se janë përfshirë në afera korruptive, me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove në emër të vazhdimit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”, të cilët janë paditur se me veprimet e tyre, i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 38.321.346.00 eurove, buxhetit të Kosovës, e që sipas PSRK megjithëse të pandehurit kishin njohuri se sipas aneks-kontratës kostoja shtesë në emër të shtyrjes së afatit të punimeve mund të jetë 14 milionë e 778 euro, me dashje kishin nënshkruar një marrëveshje të re pa kosto, në emër të së cilës dyshohet se u keqpërdoren 53 milionë euro”, shton tutje ai.

Analisti pohon se, me të drejtë lindin dyshimet se pasuria e Lekajt dhe të tjerëve mund të ndërlidhet me aferën e 53 milionë eurove.

“Prandaj me të drejtë lindin dyshime të thella, se pasuria e Pal Lekajt dhe të tjerëve, mund të ndërlidhet eventualisht edhe me aferën e 53 milionë eurove, gjykimi ndaj të cilit tash e sa vite vazhdon, por që përkundër shumës marramendëse dhe arrestimit urgjent të tre zyrtarëve shtetëror, për kinse keqpërdorimin e 300 mijë eurove, akt i cili u hodh poshtë nga Gjykata e Apelit, si e pa bazuar dhe pa argumente ligjore, afera e 53 milionë eurove të keqpërdorura, nga Pal Lekaj & Co, si dhe rasti penal me akuzë të ngritur dhe të argumentuar, i njohur si Rasti-"Toka",tash e sa vite, çuditërisht as që po arrinë të marrë verdiktin përfundimtar nga gjykatat e kapura dhe të korruptuara deri në fyt”, përfundon analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat