“Vuçiq është i interesuar ta pushtojë veriun e Kosovës”, alarmojnë analistët: Paralajmërim që tingëllon më se real!

Politika

“Vuçiq është i interesuar ta pushtojë veriun e Kosovës”, alarmojnë analistët: Paralajmërim që tingëllon më se real!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 16 shtator 2023 Në ora: 08:03
Aleksander Vuciq

Eksperti për i politikave të Ballkanit, Daniel Serwer, ka thënë se nuk sheh përgatitje për një rezultat të suksesshëm nga Kosova dhe Serbia në takimin e Brukselit dhe arsyeja, sipas tij, është se nuk shihet ndonjë reflektim i madh.

“Nuk shoh diçka të madhe nga ana e Beogradit, por as ndonjë veprim serioz sa i përket Asociacionit, thjeshtë nuk shoh ndonjë përpjekje për ndonjë kompromis”, ka deklaruar Daniel Serwer.

Madje ai ka thënë se Beogradi aktualisht është duke gëzuar mbështetje të madhe nga SHBA dhe BE pa pasoja, sidomos për sulmin ndaj trupave të NATO-s, apo për kidnapimin e zyrtarëve policorë..

“Vuçiq e ka bërë të qartë se nuk është i gatshëm ta njohë Kosovën dhe në mënyrë të qartë thekson se është i interesuar për ta mbajtur veriun për të pushtuar atë dhe unë mendoj se ka mundësi ta bëjë”, ka deklaruar analisti Serwer.

Këto deklarata i konsiderojnë si të arsyeshme analistët politik bazuar në qëndrimet aktuale të Serbisë, por edhe të BE-së në raport me dialogun dhe marrëveshjet që nuk po zbatohen.

Mehazi: Pas takimit të 14 shtatorit situata do elektrizohet dhe më shumë nga ana e kriminelëve të Vuçiqit në veri

Profesori Sulejman Mehazi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se deklarata e Serverit nuk është e kotë, duke shtuar se pas takimit të 14 shtatorit situata do elektrizohet dhe më shumë nga ana e kriminelëve të Vuçiqit në veri.

“Deklarata e profesorit universitar amerikan dhe analistit të njohur, Daniel Serwer, në lidhje me pushtimin e veriut nga Serbia nuk është e kot dhe duhet kapur seriozisht se me të vërtetë Serbia nuk është për një marrëveshje paqësore me Kosovën, se qëllimi i Vuçiqit është të pushtojë veriun e Kosovës dhe se nuk do ketë asnjë marrëveshje paqësore gjatë takimit të Kurtit me Vuçiqin në Bruksel, dhe se pas takimit të 14 shtatorit situata do elektrizohet dhe më shumë nga ana e kriminelëve të Vuçiqit në veri, vetë argumentet e takimeve të mëparshme treguan se sa herë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, veriu elektrizohej, dhunohej e maltretohej nga kriminelët serbë të veriut”, thotë ai.

Image
Profesori Sulejman Mehazi

Më tej, thotë se është e turpshme për BE-në dhe SHBA-në të mos e përkrahin sovranitetin e Kosovës, e po përkrahet Serbia luftënxitëse.

“Deklarata e opinionistit dhe analisti politik amerikan, Daniel Serwer, është shumë e qartë dhe decide se takimet kosovare e serbe janë të kota dhe se Vuçiqi është i interesuar që me gjuhën e luftës të pushtojë veriun e Kosovës. Dhe se fajtor për pushtimin e veriut do jenë dhe BE-ja e SHBA-të të cilët nuk reflektojnë pozitivisht për sovranitetin e Kosoves, por negativisht në anën e Serbisë ruse që s'është për paqe, por për luftë në veri të Kosovës.

Është e turpshme për BE-në dhe SHBA-në të mos e përkrahin sovranitetin e Kosovës që e mbron kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, politikisht e paqërisht e në anën tjetër të përkrahet Serbia luftënxitëse, gjenocidiale e fashiste që këmbëngul me luftë të pushtojë veriun e Kosovës”, përfundon ai.

Sinqerisht i pyesim diplomatët e BE-së dhe SHBA-ve se a janë për Kosovën evropiane e amerikane apo për Serbinë luftënxitëse ruse?

Qarri: Kosova duhet ta kërkojë sërish ndihmën e Lobit Shqiptar në SHBA, Qeveria Biden ta ndryshojë qasjen dhe përafrohet më tepër me Kosovën

Analisti Gani Qarri shpreh shqetësimin se përderisa ekspertët amerikanë janë më afrë informatës, një akt bizar i lejuar nga SHBA dhe BE edhe mund të ndodh.

Gjithmonë sipas Qarrit, e gjitha kjo do ta trazonte jo vetëm Kosovën por edhe Malin e Zi e Bosnjen, duke shkaktuar gjakderdhje në mbarë rajonin.

“Mjerisht me tendencën perverse të Serbisë hegjemoniste, për gllabërimin e veriut të vendit tonë, krimineli Vuçiq po kërcënon hapur pjesët më vitale të Republikës së Kosovës, akt ky shumë i rrezikshëm që kërcënon të ri-ndezë serish luftëra të reja, në garën e çmendur për gllabërime të territoreve nga Serbia, jo vetëm në Kosovë por edhe në Bosnje e Hercegovinë si dhe në Mal të Zi.

Dhe nëse vërtet, ashtu siç ka filluar të flitet hapur edhe nga ekspertët amerikan të cilët janë shumë afër rrjedhës së informatave autentike, nga SHBA dhe BE, lejohet të përsëritet agresioni serb, ky akt bizar ekspansionist, përveç futjes në luftë të Kosovës për mbrojtjen e territorit të saj jetik dhe autokton, nga okupacioni serb, do ta trazonte mbarë rajonin dhe shkaktonte gjakderdhje të paparashikueshme edhe në Bosnje e Mal të Zi, pasi që me politikën të cilën ndjek Serbia dhe përkëdheljet që merr nga BE dhe SHBA, luftërat janë më se të mundshme në gjithë Ballkanin Perëndimor, ngjashëm dhe pothuajse gati të njëjta me gjakderdhjet makber të viteve të 90-ta”, deklaron ai.

Image
Analisti Gani Qarri

Qarri për dekaratën e Serverit thotë se mund të besohet se Vuçiq është njëmend i interesuar ta pushtojë veriun me dhunë.

Sipas tij, Kosova duhet ta kërkojë sërish ndihmën e Lobit Shqiptar në SHBA, që në këto momente delikate për vendin tonë, përfundimisht Qeveria Biden ta ndryshojë qasjen dhe përafrohet më tepër me Kosovën.

“Kështu që për fat të keq, nisur nga deklarata e publicistit Daniel Serwer, mund të besohet plotësisht se Vuçiq njëmend është i interesuar ta pushtoje me dhunë veriun e Kosovës, paralajmërim që tingëllon mese real, dhe opsion që pasardhësi i kasapit Millosheviç, krimineli Aleksandër Vuçiqit, e ka testuar disa herë, duke provokuar edhe NATO-n, dhe vendosur herë pas here në pozicione luftarake ushtrinë serbe, përskaj kufirit verior të Kosovës, akt që më 14 shtator, Serbisë, duhet ti bëhet i qartë, se SHBA, BE, NATO dhe vendet perëndimore, nuk do të lejojnë të ndodhë as të përsëritet më, nëse vërtet janë të interesuar për ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes në Ballkan.

Për aq më tepër, duke pasur parasysh njëanshmërinë e theksuar të BE-se, mbështetjen e vazhdueshme të saj, ndaj Serbisë dhe masat e vendosura vetëm ndaj Kosovës, por jo edhe ndaj Serbisë, vendi ynë duhet ta kërkojë serish ndihmën e Lobit Shqiptar në SHBA, që të angazhohet maksimalisht te Qeveria dhe Administrata shtetërore e SHBA-ve, që në këto momente delikate për vendin tonë, përfundimisht Qeveria Biden ta ndryshojë qasjen dhe përafrohet më tepër me Kosovën, si garanti më i madh dhe më i fuqishëm botëror, kur dihet se SHBA është promotor edhe i përkrahjes ndërkombëtare për mbështetjen e Kosovës dhe moslejimit të realizimit të kërcënimeve hegjemoniste të Serbisë.

Përndryshe, qoftë larg, nëse ndodhë “gllabërimi me forcë i veriut” nga Serbia hegjemoniste, si pjesa më vitale e vendit tonë, është plotësisht e sigurt dhe e ditur nga të gjithë se Kosova, pa resurset ujore dhe ato minerare të përqendruara kryesisht në veri, do të kujtohej vetëm si ish shtet, që ka ekzistuar dikur në histori, por nuk do të mund të mbijetonte ekonomikisht dhe as të ekzistonte si shtet më vete dhe vend i pavarur, duke shuar vuajtjet, mundin dhe gjakun e djersën e disa gjeneratave, që kanë flijuar edhe jetën, për të arritur në gjendjen që jemi sot dhe krijimin e shtetit të Kosovës”, përfundon Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat