Qeverisë i kërkohet të merr parasysh kërkesat e SHBA-së për zgjedhjet në veri

Politika

Qeverisë i kërkohet të merr parasysh kërkesat e SHBA-së për zgjedhjet në veri

Nga: Qendresa Rexhaj Më: 16 shtator 2023 Në ora: 08:13
Foto ilustrim

Deklarata e emisarit amerikan për dialogun Gabriel Escobar, i cili tha se dorëheqja e kryetarëve aktualë në Veri është rruga më e shpejtë dhe më e lehtë, ka nxitur reagime të shumta brenda dhe jashtë vendit.

Madje, Ministri i Pushtetit dhe Administrimit Lokal, Elbert Krasniqi, duke komentuar këtë deklaratë, ditë më parë ka thënë se thirrjet për dorëheqje të kryetarëve të komunave në veri janë kërkesa të Beogradit.

“Në të kaluarën kryetarët në veriun e vendit kanë qenë në dispozicion të Listës Serbe dhe grupeve kriminale dhe asnjëherë në dispozicion të qytetarëve, udhëzimi administrativ është proces demokratik...dhe gjithçka tjetër nuk është kërkesë e qytetarëve atje as kryetarëve të komunave, janë kërkesa të Beogradit”, tha Krasniqi.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike, thonë për “Bota sot” se situata dhe çështja e largimit të kryetarëve në veri të Kosovës, nuk duhet të bëhet “mollë sherri” ndërmjet raporteve të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas tyre, insistimi është i pritshëm, në mënyrë që zgjedhjet e reja në veri të kthejnë gjërat në normalitet.

Elezaj: Qeveria jonë duhet t’i marrë parasysh domosdo tri kërkesat e BE-së dhe SHBA-ve

Analisti politik, Rexhep Elezaj, vlerëson se në situatën aktuale të tensioneve në veri, Kosova duhet t’i ketë parasysh tri kërkesat e BE-së dhe ShBA-ve për sh-tensionimin, ku sipas tij, më kryesorja është shpallja e zgjedhjeve të reja lokale.

“Çështja e largimit të 4 kryetarëve shqiptar nga postet e tyre udhëheqëse komunale, në asnjë mënyrë qeveria e Kosovës nuk duhet lejuar që të bëhet mollë sherri mes saj dhe faktorëve ndërkombëtarë, përkatësisht me SHBA-të, sepse sipas normave pozitive ligjore dhe kushtetuese posti i kryetarit të komunës, pranë rolit administrativ që ka, ai njëkohësisht është edhe post me karakter politik, prandaj akti i dorëheqjes së tyre, si akt moral, në çdo rast mund t’ia ofrojnë Kuvendit komunal, pa pasur nevojë për tubimin e nënshkrimeve të 20%-ind të elektoratit, të cilët përmes peticionit e kërkojnë dorëheqjen e tij. Kjo për shkakun, sepse kjo normë ligjore nuk mund të zbatohet në veri të Kosovës, ku shumica e banorëve-votuesve janë të nacionalitetit serb, të cilët në fakt asnjëherë nuk e kanë pranuar shtetin e Kosovës si të pavarur, ani se një numër i tyre janë kyçur në institucionet lokale në veri, dhe atë për qëllimet e tyre krejtësisht manipuluese dhe në favor të ruajtjes së interesave hegjemoniste serbe në Kosovë. Në situatën aktuale të tensionuar në veri, e krijuar ekskluzivisht nga veprimet fashiste të “Listës serbe” si dhe bandave kriminale, qeveria jonë duhet t’i marrë parasysh domosdo tri kërkesat e BE-së dhe SHBA-ve për sh-tensionimin e situatës në veri, ku ndër më kryesorja është shpallja e zgjedhjeve të reja lokale në të cilat do merrnin pjesë votuesit me shumicë serbe në veri, gjë e cila e shtron nevojën imediate për qeverinë e Kosovës që t’ua kërkojë dorëheqjen 4 kryetarëve shqiptar, si akt politik dhe nacional, për t’i hapur rrugën shpalljes sa më para të zgjedhjeve për katër komunat në veri”, deklaron ai.

Image
Analisti politik, Rexhep Elezaj

Derisa flet për situatën në veri, Rexhepaj thotë se Kosova duhet të bashkëpunoj me partnerët ndërkombëtar dhe se kërkesën për dorëheqjen e kryetarëve e ka bërë edhe Escobar ditë më parë.

“Madje, këtë kërkesë e ka bërë para tri ditësh edhe ndërmjetësuesi i SHBA-ve për Ballkanin perëndimorë, z. G. Escobar, ku ndër të tjera ka deklaruar, po citojmë; “Nëse doni të keni zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve, mendoj se dorëheqjet janë rruga më e shpejtë, më e lehtë. Peticioni si nismë nuk është provuar ndonjëherë më parë. Në fakt, nuk ekzistojnë shumë nga rregulloret dhe ligjet për këtë. Megjithatë, po kërkojmë për çfarëdo mundësie brenda Kushtetutës, që do të mundësonte mbajtjen e zgjedhjeve të reja”, përfundon citati.

Mehmeti: Kosova duhet të jetë fleksibile dhe të dëgjojë kërkesat e ShBA-ve

Nga ana tjetër, analisti politik, Faton Mehmeti, vlerëson se ndërkombëtarët përmes këtij insistimi po tentojnë të kthejnë gjendjen në situatë të mëhershëm. Por, sipas tij, këta të fundit po harrojnë që Serbia është shkaktare e të gjitha situatave atje.

“Insistimi i ndërkombëtarëve është i pritshëm me pritjet e tyre që zgjedhjet e reja në veri do të kthejnë gjërat në normalitet. Kështu edhe përmbushet kërkesa e Serbisë për marrëveshje përfundimtare, ndonëse nuk është e drejtë për kryetrarët e zgjedhur në veri. Faktikisht ndërkombëtarët po tentojnë të kthejnë gjendjen në situatë të mëhershme por harrojnë se është Serbia me Vuçiqin shkaktare e të gjitha situatave në veri”, thotë ai për “Bota sot”

Derisa potencon se Kosova duhet të plotësoj kërkesat e ShBA-ve.

“Kosova duhet të jetë fleksibile dhe të dëgjojë kërkesat e ShBA-ve, por pa shkelur ligjin për zgjedhjet e reja atje. Të tregojë se është shtet serioz dhe jo shtet veç në letër, por dhe në praktikë”, deklaron ai.

Image
Faton Mehmeti

Kryetarët shqiptarë në katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, morën detyrën pas zgjedhjeve të prillit, të cilat u bojkotuan dhe kundërshtuan ashpër nga serbët lokalë, duke shkaktuar tensionim të situatës.

Si pasojë, BE-ja më pas vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, ndërkaq SHBA-ja njoftoi se Prishtina nuk do të merrte pjesë në stërvitjet ushtarake të NATO-s, Defender Europe 23.

Kosova është zotuar për riorganizimin e zgjedhjeve, por dëshiron ta bëjë këtë përmes një udhëzimi administrativ që u mundëson qytetarëve t’i shkarkojnë kryetarët e komunave të tyre përkatëse përmes një peticioni.

Në korrik, Kosova dhe Bashkimi Evropian u pajtuan për hapat që duhet të ndërmerren për sh-tenisionimin e situatës, përfshirë edhe reduktimin e pranisë policore në komunat veriore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Kosova i ka tërhequr dy herë nga 25 për qind numrin e policëve në ndërtesat komunale në veri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat