“Shkëmbimi i territoreve ka dështuar si projekt, por s’ka vdekur si ide”, a i ka propozuar dikush Kurtit këtë ide?

Politika

“Shkëmbimi i territoreve ka dështuar si projekt, por s’ka vdekur si ide”, a i ka propozuar dikush Kurtit këtë ide?

Nga: Naile Ejupi Më: 11 nëntor 2023 Në ora: 14:58
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ne Forumin e Paqes

Kryeministri Albin Kurti është duke qëndruar në Paris, ku po merr pjesë në Forumin e Paqes.

Në panel Kurti ka folur sërish për idenë e ndryshimit të kufijve.

Ai ka thënë se ndonëse si plan ka dështuar, si ide ende është gjallë te udhëheqësit e Serbisë.

“Beogradi ka qenë jo fort i lumtur me shpërbërjen e Jugosllavisë që vetë e ka shkaktuar. Tani jetojmë në një epokë ku ky projekti i këmbimeve të tokave dhe territoreve ka dështuar, por besoj që ideja ende s’ka vdekur. Dhe e shoh shumë shpesh kudo që takohem dhe dëgjoj presidentin e Serbisë që flet publikisht apo angazhohet në diskutime në dialog në Bruksel sepse kjo fantazia mund të mos jetë reale në kuptimin e realitetit faktik, por që e kushtëzon të menduarit, sjelljen apo veprimtarinë e palëve. Njerëzit që kanë parë ëndrra për shumë vite për ndarjen e Kosovës e këmbimin e ndryshimin e kufijve është shumë e vështirë për ta që të braktisin këtë nostalgji e trishtim dhe të angazhohen në zgjidhje që do të ishin demokratike e europiane”, ka thënë Kurti.

Ai këtu ka përmendur edhe ish-presidentin Hashim Thaçi si përkrahës të kësaj ideje, derisa e ka quajtur edhe lider autoritar.

“Ka pasë homolog edhe në Kosovë nga një prej paraardhësve të mi, sepse në atë kohë është parë si një rregullim i shpejtë, korrigjim i shpejtë midis liderëve autoritarë që flasin për popullin si familjet e tyre dhe shtetet si prona private”.

Duke rikujtuar idenë për shkëmbimin e territoreve, rrjedh ideja se Kurtit mund t’ia kishte propozuar dikush nga bashkësia ndërkombëtare përsëri dhe për këtë ka folur analisti politik Blerim Burjani.

Burjani thotë për “Bota sot”, se nuk e beson një gjë të tillë, kjo pasi BE dhe ShBA e kanë mbyllur këtë temë.

Sipas tij, tema të tilla nuk duhet të diskutohen, kjo pasi mund të kthehen si “autogol”.

“ Nuk e besoj se dikush nga bashkësia ndërkombëtare e ka përmendur idenë e shkëmbimit territorial, kjo pasi që BE dhe ShBA e kanë mbyllur këtë temë tash në këtë kohë dhe në këto rrethana lufte në Ukrainë, Izrael, Palestinë e Siri. Kurti thjeshtë ka qejf të flas dhe nuk është hera e parë që ka qejf të flas kot dhe të nxis kundër vetes dhe mund t’i kthehet boomerang apo autogol vetes e Kosovës.”, deklaron Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai shton se duhet të dihet se përmendja e shkëmbimeve është gabim politik dhe diplomatik.

“Kurti duhet ta di se kur përmenden shkëmbimet, luftën se janë gabim politik dhe diplomatik dhe i sjellin dëm politikës së Kosovës”, pohon Burjani.

Ndaj kryeministrit Kurti ka reaguar nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e cila e konsideron turpëruese që ai merret me presidentin Thaçi.

“Ka kohë që Kryeministri Kurti merret me Presidentin Thaçi, si në Kuvend të Kosovës ashtu edhe në vizita të tija jashtë vendit.

Kjo është një turp që vetëm sa e shpërfaq vogëlsinë e kryeministrit aktual dhe cektësinë e rezultateve te qeverisjes së sotme.

Presidenti Thaçi nuk ka mundësi t’ja kthej sepse është në paraburgim duke mbrojtur UÇK-në.

Poashtu, rezultatet e qeverisjes Thaçi, autostradat, aeroporti, njohjet dhe vetë pavarësia jonë, shihen, preken, udhëtohen, përjetohen, gëzohen. Rezultati i vetëm i Kurtit është një ure këmbësorësh në një fshat dhe një mori sanksionesh nga aleatët tonë. I pabesë si me tanët ashtu edhe me të huajt”, ka shkruar Çitaku pas deklaratës së Kurtit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat