“Kosova projekt i përkohshëm”/ Prapaskenat e deklaratës së Liburn Aliut dhe rreziku për keqpërdorim nga Serbia

Politika

“Kosova projekt i përkohshëm”/ Prapaskenat e deklaratës së Liburn Aliut dhe rreziku për keqpërdorim nga Serbia

Arife Morina Nga Arife Morina Më 3 dhjetor 2023 Në ora: 20:38
Liburn Aliu, foto ilustrim nga "Bota sot"

Deklarata e Ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, se “Kosova është projekt i përkohshëm”, ka nxitur reagime të shumta nëpër rrjete sociale.

Aliu befasoi të gjithë me deklaratën e tij, derisa menjëherë filluan reagimet nga opinioni publik.

Ai tha se Kosova është një projekt i përkohshëm, duke iu referuar aspiratës për bashkim me Shqipërinë.

“Unë e shoh sot Kosovën më shumë se një projekt të përkohshëm. Cilat janë elementet që sot përpiqen me kriju kombin kosovar? Kushtetuta e Republikës së Kosovës është e një vendi multi-etnik, çfarë është kosovari, a është kosovari shqiptar apo diçka tjetër, nëse do të krijonim një komb që do të synonte një përzierje të etnive nuk e di sa do të ketë sukses, dhe nuk është duke pasur sukses”.

“Unë mendoj që projekti Kosova shtet i pavarur është një projekt i përkohshëm që ka me marrë një rrugë. Rruga është normale, zhvillimi ekonomik, qarkullimi i vazhdueshëm brenda gjithë Ballkanit, do ta kthejë në vendin e vet ku do të shuhen të gjitha ato shovinzimat e të gjithë do të ktheheshin në vendin e vet”, ka thënë Aliu.

I gjithë ky këndvështrim i ministrit Aliu, lë mundësi për dyshime mbi qëndrimet e tij mbi shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës.

Nuk mund të përjashtohet mundësia që mund të ketë qenë një mendim i artikuluar në mënyrë jo të duhur, megjithatë Aliu do duhej të sqarohej për këtë pjesë.

Ndonëse, dihet se që nga fillimi kauza e Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë bashkimi kombëtar, një vlerësim i pavarësisë së Kosovës si “projekt i përkohshëm”, sipas analistëve nuk e arsyeton atë.

Për këtë më gjerësisht kanë folur analistët politikë për gazetën “Bota sot”.

Qarri: Liburn Aliu, Kosovën nuk do duhej ta quante projekt të përkohshëm, por bazament të një planimetrie më të madhe etnike

Së pari, analisti politik, Gani Qarri e përmendi edhe ëndrrën e gjithë shqiptarëve, e që është bashkimi kombëtar.

Image
Gani Qarri

Ai tregoi se çka mund ta ketë shtyrë ministrin Aliu për ta dhënë deklaratën e lartpërmendur.

“Në fakt ëndrra e shqiptarëve të shpërndarë në disa shtete e një pjesë e tyre ende edhe 111 vite pas shpalljes së pavarësisë, nën sundime të huaja, dëshira për bashkim kombëtar mbetet e pranishme dhe shumë e fuqishme, me arsyen më të fortë dhe bindjen e fuqishme, se vetëm bashkimi i trojeve tona etnike, në një shtet natyral shqiptar, do t’i plotësonte aspiratat e të gjithë shqiptarëve.

Shto kësaj faktin e dhimbshëm të diskriminimit të paskrupullt, që në emër të një mase diskriminuese, të shpifur si masë e ashtuquajtur “administrative” në vijimësi u bëhet, në mënyrë masive nga Serbia shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë me pasivizimin e vazhdueshëm të adresave në shtëpitë dhe vendbanimet e tyre, duke kryer një spastrim të heshtur etnik dhe selektiv të drejtuar vetëm kundër shqiptarëve, në trojet e veta shekullore-autoktone, që ndoshta edhe nga mos ngritja e zërit të vet shqiptarëve atje, fatkeqësisht kjo ka filluar të legjitimohet dhe, askush nuk po merret më, me këtë fatkeqësi të tyre, natyrshëm ngrit reagimin edhe të ministrit Liburn Aliu, i cili edhe vet mund të jetë i prekur personalisht e familjarisht, përderisa edhe ai e ka prejardhjen nga atje”, deklaroi analisti.

Gjithashtu, Qarri konsideroi se datat historike e festat kombëtare nxitin natyrshëm deklarata emocionale.

“Për aq më tepër në data të caktuara historike, ndodh në mënyrë të natyrshme edhe ngritja e emocioneve njerëzore dhe rritja e adrenalinës patriotike, veçanërisht me rastin e festave kombëtare si shpallja e pavarësisë së trojeve tona etnike, me 28 nëntor të vitit 1912, që është më se normale edhe për një ministër si Liburn Aliu i cili, siç u cek edhe vije nga një pjesë e trojeve tona etnike, si Kosova Lindore e mbetur edhe pas vitit 1999 nën Serbi, ndaj është më se normale, që të paktën në festa kombëtare, përderisa politika hesht, nga njerëzit të flitet edhe për bashkim të trojeve tona etnike, kur dihet se si Shqipëria londineze ashtu edhe Kosova ahtisariane, ishin kompromise të dhembshme, që në dy shekuj, populli ynë, i detyruar nga rrethanat gjeopolitike, u dashtë t’i pranojë”, theksoi ai.

Pavarësisht kësaj, analisti tha se Aliu nuk do duhej ta cilësonte Kosovën projekt të përkohshëm.

“Në fakt ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, Kosovën nuk do duhej ta quante projekt të përkohshëm, por bazament të një planimetrie më të madhe etnike që shtron edhe më tej rrugën e realizimit më të lehtë të aspiratës së shqiptarëve për bashkim kombëtar me Shqipërinë dhe trojet tona shekullore autoktone rreth e përqark, kur kihet parasysh fakti se vetëm Shqipëria dhe Kosova, edhe pas pranimit të tyre si shtete, vazhdojnë të kufizohen, në të gjitha anët me shqiptar dhe pjesë të trungut të vet autokton, etnik, historik dhe gjeografik, gjë që nuk ndodh edhe me popujt dhe shtetet tjera”, nënvizoi Qarri.

Ndër të tjera, ai përmendi mundësinë e keqpërdorimit të deklaratës së ministrit Aliu nga ana e qeverisë serbe, pavarësisht se kërkesa për bashkim kombëtar është e drejt e shqiptarëve.

“Prandaj duke pasur parasysh edhe gjendjen e vazhdueshme konfliktuoze, që Kosova ka në vijimësi në dialog me Serbinë, për shkak të tendencave të saj hegjemoniste ndaj hapësirave më jetike të vendit tonë, këmbënguljeve ekstreme të saj, për formimin e entiteteve të shpifura serbe në tokat tona, dhe krijimin e shtetit në shtet, të formës së një “republika srpska” edhe brenda territorit të Republikës së Kosovës, veçanërisht ministrat e Qeverisë, që aktualisht bart barrën kryesore në ballafaqim me tendenca të tilla të rrezikshme serbe, e në këtë rast vet ministri Aliu, bashkimit kombëtar, që në realitet është e drejtë e jona e pamohueshme si popull, padrejtësisht i shpërndarë në disa shtete, do duhej t’i referohej, me një mënyrë dhe në një formë më simptomatike, që nuk do t`ia ndryshonte kahen, zbehte qëllimin, as mohonte të drejtën e shenjtë të shqiptarëve për unifikimin e trojeve tona etnike dhe bashkim kombëtar”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Haziri: Deklarata e ministrit Aliu se Kosova si shtet është projekt i përkohshëm, është një deklarata anti-shtetërore e anti-kombëtare

Image
Nexhat Haziri

Kurse, analisti tjetër politik, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot” u tregua i ashpër me ministrin Liburn Aliu.

Madje, ai e krahasoi edhe një deklaratë të Rakiqit.

“Deklarata e ministrit të Infrastrukturës, Liburn Aliu se Kosova si shtet është një projekt i përkohshëm, të kujton deklaratat e Goran Rakiqit që ishte pjesë e qeverisë së Kosovës, por që nuk e njihte si shtet. Është për t’u habitur që ndaj kësaj deklarata të ministrit Aliu nuk reagoi e as nuk u distancua kryeministri Kurti, gjë që ngreh shumë dyshime për këtë qeverisje dhe për vet organizatën politike të cilën e bashkë-drejton z. Kurti dhe Dejona Mihali dhe për synimin e tyre në zhbërjen e shtetit të Kosovës, një synim ky edhe i Serbisë”, deklaroi analisti

Po ashtu, Haziri kritikoi ashpër opozitën dhe mos reagimet e mjaftueshme për këtë deklaratë të Aliut, përfshirë mos kërkesën për dorëheqje.

“Por, në anën tjetër as opozita nuk pati një reagim të fuqishëm për të kërkuar dorëheqjen e ministrit Aliu dhe u mjaftua me disa reagime të vakta e patetike në rrjetet sociale. Deklarata e ministrit Aliu se Kosova si shtet është projekt i përkohshëm, është një deklarata anti-shtetërore e anti-kombëtare që shkon viza-vi me politikën e Aleksandër Vuçiqit, dhe mbi këtë bazë ai duhet të shkarkohet”, nënvizoi.

Në fund, ai kërkoi që Aliu të japë dorëheqje ose të shkarkohet.

“Nuk duhet lejuar që një zhvatës i buxhetit të Kosovës, një i dyshuar për korrupsion si Liburn Aliu, gjoja në emër të bashkimit me Shqipërinë të bëjë deklarata anti-Kosovës dhe kundër të ardhmes së saj si shtet i pavarur, demokratik dhe i integruar në strukturat euro-atlantike. Liburn Aliu mund të ketë shtet tjetër rezervë andej nga e ka origjinën, por ne kemi vetëm Kosovën. Ai duhet të dorëhiqet ose të shkarkohet”, përmbylli Nexhat Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat