Kosova ende nën sanksionet e BE-së – themelimi i Asociacionit, kusht mbi kushtet e plotësuara deri me tash?

Politika

Kosova ende nën sanksionet e BE-së – themelimi i Asociacionit, kusht mbi kushtet e plotësuara deri me tash?

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 26 janar 2024 Në ora: 10:05
Foto ilustrim

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë dhënë së fundi për “Politico”,  ka kërkuar edhe njëherë nga Bashkimi Evropian heqjen e sanksioneve, të cilat i janë vendosur Kosovës që prej fillimit të tensioneve në veri të vendit. 

“Ne u kritikuam për dhunën në veri vitin e kaluar – padrejtësisht – dhe BE-ja vendosi masa kundër Kosovës. Nga ana tjetër, Serbia është duke u rreshtuar me Federatën Ruse në lidhje me agresionin në Ukrainë dhe nuk ka sanksione për Serbinë”, tha Kurti, teksa kritikoi Bashkimin Evropian për zbutje ndaj Serbisë në mes të tensioneve rajonale. 

Se sanksionet duhet t’i hiqen Kosovës e thotë edhe analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Gani Qarri. 

Image
Gani Qarri

“Tanimë në ditët kur edhe po mblidhen nënshkrimet sipas udhëzimit administrativ të Qeverisë së Kosovës, për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në veri të vendit, që ishte edhe njëra nga kushtëzimet e BE-së, Kryeministri, Albin Kurti, me të drejtë i bënë thirrje edhe njëherë Bashkimit Evropian, të reflektojë racionalisht, për heqjen e masave të padrejta, ndaj Kosovës, duke qenë se tanimë Kosova është fare afër mbajtjes së zgjedhjeve të kërkuara në veri të vendit, nga vet BE dhe SHBA”, shprehet Qarri për “Bota sot”. 

Agresioni serb 

Sipas tij, Kosova është duke e plotësuar pothuajse çdo kërkesë të BE-së që ka të bëjë me veriun e Kosovës. 

“Për aq më tepër, pas rivendosjes së qetësisë dhe rendit e ligjit në veri, që për më tepër se dy dekada, ishte kthyer në oazë të kontrabandës, drogës, armëve, municionit, shpëlarjes së parave të pista dhe të gjitha llojeve të mundshme të krimit të organizuar, Kosova po bënë krejt çfarë mundet, edhe për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat veriore të Kosovës, ndaj SHBA-të dhe partnerët ndërkombëtar nga Bashkimi Evropianë do të duhej që të ndryshojnë qëndrimet ndaj Kosovës, pasi që në raste të tilla si Kosova, cilido shtet tjetër i cili lufton me kaq përkushtim për rend e ligj dhe rivendosjen e shtetit të së drejtës, do të ndihmohej në të gjitha format dhe mënyrat, për realizimin e këtyre parimeve, të cilat janë edhe pjesë përbërëse e përmbushjes së kritereve, për integrim në Bashkimin Evropian”, shton Qarri. 

Siç thotë Qarri, shteti i Kosovës është nën agresion të hapur nga Serbia, për çka kërkon edhe reagimin e Bashkimit Evropian. 

“Duke qenë se Kosova është shteti më demokratik në rajon, e cila jo vetëm që nuk atakon asnjë nga shtetet fqinje, por përkundrazi ajo edhe sulmohet drejtpërsëdrejti nga Serbia me agresion të hapur, përmes bandave të armatosura terroriste serbe, të cilat futen nga territori i Serbisë, me qëllim të tjetërsimit të kufijve dhe okupimit të territoreve më jetike të Kosovës, masat e vendosura padrejtësisht, jo vetëm që duhet ti hiqen shtetit të Kosovës, një minutë e më parë, por Kosova, si shtet i ri, meriton edhe të ndihmohet, në të gjitha drejtimet, e veçanërisht në shtet ndërtim dhe avancimin e saj në rrugën drejt integrimin evropian dhe euroatlantik, duke i ofruar mundësin, për anëtarësim edhe në NATO, që është garancia më e madhe për qetësi dhe paqe afatgjate në rajon”. 

“Në anën tjetër, përderisa Serbia edhe me letrën qeveritare drejtuar para pak kohësh Bashkimit Evropian, zotohet se nuk do ti zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes, së arritur në Bruksel dhe aneksin e Ohrit, nuk njeh integritetin territorial të Kosovës dhe nuk do të lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe organizatat tjera ndërkombëtare, në vend se ti vendoseshin asaj masat ndëshkuese dhe sanksionohej, në mënyrën më të ashpër për shkeljen e marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-ve, ato çuditërisht vazhdojnë të mbahen në fuqi, vetëm kundër Kosovës, e cila në gjithë këtë lojë të padrejtë, është vetëm viktimë e agresionit serb dhe fuqive të mëdha pro-serbe evropiane e ndërkombëtare, ku rol të veçantë luan Rusia”, shpjegon Qarri. 

Më tej, Qarri thotë se Kurti ka arsye të forta që të drejtojë akuza ndaj Bashkimit Evropian për qasjen ndaj Serbisë, sidomos pas sulmit terrorist që ndodhi në veri të Kosovës. 

“Shto kësaj edhe faktin tjetër, që kanë kaluar më tepër se 4 muaj, nga akti terrorist dhe agresioni i hapur serb, mbi një pjesë të territorit të Kosovës, siç ndodhi më 24 shtator 2023 në Banjë të Zveçanit, për çka sot e asaj dite, nuk kemi akuzë të ngritur as dënim të ndërmarrë, si masë sanksionuese kundër Serbisë hegjemoniste, Kryeministri Kurti, me të vërtetë ka arsye të forta, ta akuzojë Brukselin për qasje të butë, madje do thoja edhe ledhatuese ndaj Serbisë, në një kohë kur rajoni është i mbushur me tensione të larta, pikërisht shkaku i ndërhyrjeve të Serbisë, nga Bosnja e Mali i Zi, deri në Kosovë”, thekson Qarri, i cili i quan të padrejta sanksionet që BE i ka vendosur Kosovës. 

“Krejt kjo lë të nënkuptohet se BE, sikur është në kërkim të shkaqeve për ta ndëshkuar vetëm Kosovën, madje tanimë vendi ynë, duket se po sanksionohet, padrejtësisht edhe për asociacionin, ani pse, asociacioni gjendet në pikat e fundit dhe jo ndër pikat e para të marrëveshjes bazë dhe aneksit të Ohrit, të cilat Serbia, përveçse nuk i ka nënshkruar, ajo edhe me letër zyrtare të Qeverisë, ka vërtetuar se as nuk do ti zbatojë”. 

“Kështu që veçanërisht tani kur, sapo ka filluar të zbatohet marrëveshja për targat dhe plotësohen peticionet edhe për dorëheqjet e kryetarëve të komunave veriore, që dëshmon se Kosova, nga ana e saj po zbaton pikat rendore të marrëveshjeve dhe plotëson kërkesat e BE-së dhe të SHBA-ve, për de përshkallëzimin e gjendjes në veri, kërkesa e kryeministrit Kurti, do duhej të merrej urgjentisht në konsideratë dhe të hiqen menjëherë masat e padrejta, të vendosura njëanshëm kundër Kosovës, në vend se të ndëshkohej Serbia dhe presidenti saj i cili sundon në mënyrë arbitrare edhe vendin e vet, ka ngulfatur demokracinë në Serbi, dhe keqtrajton, njëjtë si Millosheviqi, në mënyrën më barbare, secilin kundërshtar politik dhe opozitar, që provon të mos sillet sipas diktateve të tij, por që çuditërisht, përkundër të gjithave, ai vazhdon të mbështetet nga BE dhe SHBA, jo vetëm pjesërisht”, përfundon për “Bota sot”, analisti Gani Qarri. 

Sanksionet mbesin në fuqi 

Image
Nexhat Haziri

Kurse njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri thotë se pavarësisht kërkesës së Kurtit, masat ndëshkuese ndaj Kosovës nuk do të hiqen. 

Nuk do të hiqen sanksionet apo masat e vena nga BE ndaj Kosovës, përkundër deklaratave të kryeministrit Kurti dhe kërkesave të tij për heqje të këtyre masave për Kosovën nga ana e BE. Gjithashtu edhe përkundër lëvizjeve pozitive që janë shënuar në veri të vendit sidomos me peticionin për shkarkimin e katër kryetarëve shqiptar të katër komunave atje që tashmë është janë dorëzuar në KQZ, pasi që Bashkimi Evropian këto masa i ka lidhur apo i ka kushtëzuar edhe me veprime të tjera që po i kërkohen Kosovës t’i ndërmerr”, deklaron Haziri. 

Sipas tij, krejt presioni i BE-së ndaj Kosovës lidhet më formimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë.  

“Dhe disa nga këto janë përmbushje e obligimeve që dalin nga marrëveshje e Brukselit dhe sekoncimi i saj në Ohër, e që ka të bëjë me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, një kërkesë kjo nga Brukseli që po mbështetet edhe nga Ëashingtoni, ku decidivisht po i kërkohet Kosovës që të marr hapa seriozisht në raport me draft-statutin e propozuar nga bashkësia ndërkombëtar që ka të bëjë më AKS-në”, shprehet Haziri. 

“Dhe në këtë drejtim nuk po shohim se ka lëvizje nga qeveria e Kosovës, gjë që është duke e vështirësuar pozicionin e Kosovës në raport me BE, por edhe me aleatët tjerë siç është SHBA-ja, sidomos për faktin se ky është vit zgjedhor në BE dhe në SHBA, që ky proces dhe rezultatet që mund t’i prodhojë mund të sjellë kokëçarje të mëdha për Kosovën si në procesin e vazhdimit të dialogut me Serbinë , por edhe në agjendën integruese euro-atlantike. Pra masat e BE-së janë të lidhura me Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe”, përfundon për “Bota sot”, analisti Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat