PAN-i fitoi zgjedhjet, por ja çfarë ndodh nëse Ramush Haradinaj dështon në formimin e qeverisë

Politika

PAN-i fitoi zgjedhjet, por ja çfarë ndodh nëse Ramush Haradinaj dështon në formimin e qeverisë

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 13 qershor 2017 Në ora: 07:49
Festa e PAN, mesnatën e 11 qershorit

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme që u mbajtën të dielën në Kosovë, nga numërimin i 99.64 % të votave,  fitues ka dalë koalicioni i krijuar nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma për Kosovën, si dhe një numër i partive të vogla që ishin në këtë koalicion. Kandidat i këtij koalicioni për kryeministër është lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Por, fitorja e koalicionit të njohur si PAN, ishte një fitore e zbehtë, pasi që ata kanë siguruar  34.02 për qind të votave, dhe në legjislaturën e re do të kenë 39 deputetë.

Po ashtu, Lëvizja Vetëvendosje ka arritur që të shënoj një rritje të madhe, ku VV do të ketë 31 deputetët, duke lënë në vendin e tretë Lidhjen Demokratike se bashku me partnerët e koalicionit, të cilët do të kenë 30 deputetë në legjislaturën e re.

Meqenëse asnjëri subjekt politik nuk ka arritur të sigurojë shumicën, atëherë formimin e qeverisë nuk mund ta bëj asnjëri subjekt politik pa koalicion, edhe me votat e minoriteteve (20 ulëse të rezervuara në parlament).

Duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila është akti më i lartë juridik në vend, koalicionit fitues i takon formimi i Qeverisë. Në këtë rast, del që koalicioni PAN, me kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj do ta ketë mundësinë e parë për ta formuar qeverinë.

“Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”, thuhet në nenin 95, pika 1 dhe 2 të kushtetutës së Kosovës.

Sipas nenit 95, pika 3, Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ndërsa, në rast se kandidati për kryeministër dhe përbërja e propozuar e Qeverisë, nuk merr shumicën e votave të  nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë.

“Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtë procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thuhet në nenin 95, pika 4.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat