PAN ndryshon fjalët, Haradinaj drejt dështimit?

Politika

PAN ndryshon fjalët, Haradinaj drejt dështimit?

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 28 korrik 2017 Në ora: 08:47
Ramush Haradinaj

Derisa po afron data 3 gusht, kur do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës për formimin e institucioneve të reja, koalicioni PDK-AAK-Nisma, nuk mund të konfirmojë ende nëse i ka siguruar numrat e nevojshëm.

Ndonëse zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovës, vazhdimisht pohojnë se ata i kanë numrat, një gjë e tillë as nuk është pohuar e as mohuar dje nga kandidati i koalicionit PDK-AAK-NISMA për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ai pas regjistrimit si deputet i Kuvendit të Kosovës, është i përgjigjur ndryshe në krahasim me herët e tjera pyetjes nëse i ka numrat e mjaftueshëm të deputetëve për ta votuar atë në krye të qeverisë së ardhshme të vendit.

Haradinaj foli shkurt para gazetarëve, por kur u pyet nëse “i ka numrat”, ai iu shmang një përgjigjeje të drejtpërdrejtë.

“Nuk po ju kuptoj për çfarë numra e keni fjalën. Kuvendi i ka 120 deputetë dhe secili ka të drejtë të votojë”,  ka thënë Haradinaj.

Image
Time Kadrijaj

PAN s’mund të konfirmojë se a i ka numrat

Gazeta ka kontaktuar edhe me deputeten e AAK-së, Time Kadrijaj në lidhje me këtë çështje, por as ajo nuk ka pranuar të konfirmojë se a i ka siguruar numrat koalicioni PAN.

Ajo ka theksuar se për këtë duhet të pyetet kryetari i partisë së saj.

Sipas saj, më 3 gusht do të kuptohet nëse PAN e formon Qeverinë e re të Kosovës.

“Për këtë është më mirë të pyetet Ramush Haradinaj meqë unë jam larg kësaj çështje. Por se ai i ka numrat PAN, kjo do të shihet më 3 gusht”, ka deklaruar Kadrijaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Ndërkohë, sipas analistëve politikë, vet shtyrja e seancës për datën 3 gusht, dëshmon se PAN ka nevojë për shumë kohë në përpjekjen eventuale që të bëjë për vetë minimalisht dy deputetë nga partitë tjera.

Image
Faton Mehmeti

Zgjedhje të reja pas dështimit të PAN-it?

Politologu Faton Mehmeti, ka theksuar se nëse PAN nuk i siguron votat, ka shumë mundësi që vendi të shkojë përsëri në zgjedhje.

Sipas tij, ky koalicion do të përdor gjithçka vetëm që të bindë ndonjë deputet nga partitë tjera që të votojë për të.

“Nëse PAN nuk i siguron numrat, atëherë vendi shkon përsëri në zgjedhje. Shtyrja e seancës në limitet e fundit të afatit ligjor, është shenjë se PAN do të përdor të gjithë atë që ka në dorë që të bind ndonjë deputet që ta votojë”, është shprehur Mehmeti për “Bota sot”.

“Gjuetia” për numrat

Edhe sipas analistit politik Mentor Tahiri, koalicionit PAN i ka dalë i vështirë sigurimi i numrave për krijimin e Qeverisë.

Image
Mentor Tahiri

Duke folur në një prononcim për “Bota sot”, Tahiri ka theksuar se PAN ka dështuar që përreth vetes  të krijojë një aleancë të mbledhur rreth elementeve programore dhe projekteve konkrete për zhvillimin e vendit.

Në vend të kësaj, siç ka vlerësuar ai, ky koalicion është lëshuar në “gjueti” të deputetëve të partive tjera.

“Duket se sigurimi i numrave për krijimin e qeverisë, për PAN-in del të jetë më e vështirë se që është menduar pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura me 11 Qershor. Tani mund të thuhet lirshëm se PAN ka dështuar që përreth tij të krijojë një aleancë të mbledhur rreth elementeve programore dhe projekteve konkrete për zhvillimin e vendit. Në vend të kësaj ata janë lëshuar në “gjueti” të deputetëve, duke përdorur kryesisht elemente familjare dhe klanore. Vetë caktimi i seancës konstituive me 3 gusht, tregon se PAN ka nevojë për më shumë kohë në përpjekjen eventuale që të bëj për vetë minimalisht dy deputetë nga Koalicioni LAA. Kjo i ngjason më shumë një tregtie dhe duket se është kryekëput në domenin e parapolitikës”, është shprehur Tahiri.

Vendosmëria e LDK-së dhe VV-së për të mos votuar kandidatët e PAN-it

Ai ka shtuar se vendosmëria e LDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosjes për mosvotimin e kandidatit të PAN-it për kryeparlamentar dhe për kryeministër, do të ndikojë në shtyrjen e votimit të qeverisë së re edhe për një kohë të gjatë.

“Duket se VV dhe LAA janë të vendosur, jo vetëm që të mos votojnë mandatarin e pritur të PAN-it për kryeministër, por as edhe kandidatin e pritur për postin e kryeparlamentarit. Kjo mund të shpie në një situatë, ku votimi mbi qeverinë e re, të mos vije edhe një kohë të gjatë në rend dite”, ka përfunduar analisti Mentor Tahiri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat