Përplasjet për Prizrenin, thyhen shtizat e koalicionit PANA

Politika

Përplasjet për Prizrenin, thyhen shtizat e koalicionit PANA

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 20 tetor 2017 Në ora: 16:59
Koalicioni PANA

Përplasjet e ashpra në mes të zyrtarëve të AAK-së dhe atyre të NISMA-s për betejën e qytetit të Prizrenit, paraqesin rrezik për rënien e qeverisë së Ramush Haradinajt.

Kjo për faktin se përplasjet e tyre nga niveli lokal janë bartur edhe tek deputetët e koalicionit PANA.

Pas deklaratave publike të Zafir Berishës dhe njëherit kandidat i NISMA-s për kryetar të Prizrenit, se ai nuk do të përkrah më qeverinë Haradinaj, së fundi është deputeti Haxhi Shala nga i njëjti subjekt politik, i cili i ka filluar replikat me zyrtarin e AAK-së, Lulzim Kabashi, i cili ka thënë se NISMA ka marrë hise më të madhe në qeveri, se sa i takon.

Shala i ka kërkuar Kabashit të mos bëhet mosmirënjohës, pasi që sipas tij, është qëndrimi konsekuent i NISMA-s që ka bërë që Haradinaj të jetë kryeministër.

Por, analistët politik thonë se këto përplasje për Prizrenin shumë lehtë mund të shndërrohen në përçarje edhe në nivel qendror.

Image
Nexhat Haziri

“Është e vërtetë se një nga betejat në këto zgjedhje lokale ku partnerët e koalicionit qeverisës PANA, mund t’i thyejnë shtizat në mes veti është edhe gara për komunën e Prizrenit”, ka thënë për “Bota sot” analisti Nexhat Haziri.

Sipas tij, kjo garë pritet të jetë e nxehtë për shkak se të pesë partitë politike po e shohin veten favorite të mundshme, për ta marrë në qeverisje kryeqytetin historik e kulturor të shqiptarëve, Prizrenin.

“Natyrisht se duke pasur parasysh rëndësinë që ka ky qytet për partitë garuese, fushata ka filluar të elektrizohet dhe është krejt normale që kandidatët nga subjekte e ndryshme politike, qofshin edhe këto partnere në qeverisje të nivelit qendror, nuk do i kursejnë kundërshtimet dhe deklaratat e forta ndaj njëri-tjetrit, siç është shembulli me kandidatin për kryetar të Prizrenit nga Nisma, Berisha dhe deputetit po nga ky subjekt politik Shala, kundër rivalëve të tyre nga AAK”, ka shtuar Haziri.

Tahiri: Përplasjet për Prizrenin po tregojnë se në politikën tonë nuk ka parime

Image
Mentor Tahiri

Edhe politologu Mentor Tahiri, ka thënë se beteja në mes së zyrtarëve të AAK-së dhe NISMA-s po bëhet për Prizrenin pasi që sipas tij, fitimi i kësaj komune është shumë i rëndësishëm për këto subjekte politike.

“Bagazhi politik dhe ai i luftës i Zafir Berisha lidhet drejtpërsëdrejti me Prizrenin. Vetë Zafir Berisha ka dëshmuar se para disa parimeve të vëna, nuk vë interesa të tjerë. Mos votimi i tij për Qeverinë Haradinaj është një tregues i qartë lidhur me këtë. Prizreni përveç Malishevës dhe Drenasit, është një nga tri komunat në Kosovë, ku NISMA ka ambicie të ketë një rezultat të mirë në zgjedhjet qe do të mbahen të dielën”, ka thënë për “Bota sot” politologu Tahiri.

Sipas tij, NISMA ka pritur një ndihmë më të madhe nga AAK-ja për zgjedhjet lokale.

“Ndoshta edhe ka pasur një parashikim që AAK do të ndihmojë më shumë NISMA-n në Prizren, bazuar në relacionet shumë të afërta që këto dy parti kanë në nivel qendror. Megjithatë, përplasja qoftë edhe në distancë ndërmjet eksponentëve të këtyre dy partive, tregon se në politikën e Kosovës nuk ka parime, por ka thjeshtë interesa”.

“Prandaj, lënë anash këtu reagimet e mundshme nga Zafir Berisha, nuk pritet që këto përplasje me epiqendër në Prizren, të jenë në gjendje që në çfarëdo mënyre të dëmtojnë relacionet në nivel qendror”,  ka shtuar Tahiri.

Berisha i AAK-së: Përplasjet në nivel lokal nuk rrezikojnë rënien e qeverisë

Image
Anton Berisha

Nga ana tjetër, zyrtari i AAK-së Anton Berisha, ka thënë se nuk i sheh si të rrezikshme përplasjet e fundit në mes së zyrtarëve të subjektit të tij politik dhe atyre të NISMA-s.

“Mendoj që këto deklarata janë në funksion të zgjedhjeve lokale dhe nuk e shoh që kanë peshë në qeverinë qendrore, po tash këta kandidatët i bëjnë do kritika për të përfituar për veti në zgjedhjet lokale”, ka thënë për “Bota sot” anëtari i AAK-së, Anton Berisha.

Berisha shtoi se performancat e kandidatit Lulzim Kabashi, janë dukshëm më të mira se sa kanë qenë në herët, dhe sipas tij, AAK pret rezultate më të mira në zgjedhjet e së dielës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat