Lajm i keq, në balotazh pritet rënie e votueseve

Politika

Lajm i keq, në balotazh pritet rënie e votueseve

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 tetor 2017 Në ora: 17:50
Zgjedhjet ne Kosove

Zgjedhjet lokale të së dielës së kaluar, kanë bërë që shumë komuna të shkojnë në raund të dytë.

Balotazhi i zgjedhjeve të 22 tetorit do të mbahet më 19 nëntor, kurse sipas kryetares së KQZ-së, Valedete Daka, që nesër do t’i fillojnë përgatitjet intensive.

“Angazhimi ynë i përbashkët për ditën e zgjedhjeve na bënë optimistë edhe për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komune që do të mbahet më 19 nëntor. Duke filluar nga nesër, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të fillojë me përgatitjet intensive për organizimin e këtij raundi të dytë të zgjedhjeve.  Tashmë e dimë se në shumicën e komunave të Kosovës do të kemi raundin e dytë dhe për këtë neve na duhet sërish angazhimi i përbashkët dhe mbështetja e të gjithëve”, tha Daka.

Të dielën, 812.157 qytetarë, ose 43,82% e qytetarëve, shfrytëzuan të drejtën e tyre të votës, numër ky që nuk dallon shumë nga shifra e votuesve në zgjedhjet paraprake, që ishte 814.780 votues apo 45,75% e votuesve.

Kjo pjesëmarrje e votuesve për analistët është shumë e lartë, mirëpo në balotazh do të ketë rënie të votuesve.

Analisti politik, Dimal Basha, daljen e votuesve e ka konsideruar të admirueshme, ndërsa sipas tij, në balotazh mund të ketë rënie sepse janë shumë votues që nuk favorizojnë dikë dhe kështu qëndrojnë indiferent.

“Përkundrazi, unë mendoj se dalja në votime në Kosovë është shumë e lartë. Perceptimi për dalje të ulët vie nga të dhënat e KQZ-së, por që nuk reflektojnë daljen reale në vend. Për shembull, nëse marrim numrin e popullsisë sipas censusit të vitit 2011 (1.7 milion), që është numri me real i qytetarëve që  jetojnë  në Kosovë, dhe përfshijmë  këtu qytetarët me të drejtë vote (1.16 milion), dhe duke marrë parasysh numrin zyrtare të daljes në zgjedhje që  shkon 819 mije, atëherë kalkulimet dalin se në Kosovë në zgjedhjet lokale kanë votuar përafërsisht 70% të qytetarëve. Pra, në krahasim me perceptimet dhe të dhënat zyrtare, unë besoj se dalja e votuesve në Kosovë është shumë e madhe dhe diçka për t’u admiruar. Kurse, unë pres që në balotazh të ketë rënie të votuesve, për shkak se ka shumë votues që nuk favorizojnë asnjë  nga kandidatët dhe rrjedhimisht do të qëndrojnë në shtëpi duke qëndruar indiferent”, ka theksuar Basha.

Image
Dimal Basha

Në zgjedhjet e 22 tetorit ishin të regjistruar 1 milion e 890 mijë e 952 qytetarë me të drejtë vote, prej tyre 18 mijë e 11 votues të rinj. 

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka vlerësuar zgjedhjet lokale të 22 tetorit si një ndër ditët më të mira për demokracinë e Kosovës, ndërsa tha se puna e tyre tashmë është orientuar në shpalljen sa më të shpejt të rezultateve përfundimtare.

Ajo gjatë një konference për media bëri të ditur se në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve është pranuar materiali i ndjeshëm zgjedhor nga të gjitha komunat dhe së shpejti do të fillojë numërimi i votave me kusht, votave përmes postës dhe votave të personave me nevoja të veçanta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat