Rrëzimi i Qeverisë Haradinaj, i pashmangshëm

Politika

Rrëzimi i Qeverisë Haradinaj, i pashmangshëm

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 1 nëntor 2017 Në ora: 17:11
Qeveria PANA-Lista serbe

Që nga krijimi i saj në shtator të këtij viti, Qeveria e Kosovës e drejtuar nga koalicioni PAN është përballur me reagime të ndryshme kundër saj.

Sipas njohësve të çështjeve politike, kjo qeveri do të mbahet mend si qeveria më e shkurtër që ka pasur Kosova.

Opinionisti Nexhat Haziri ka thënë për gazetën “Bota sot” se kjo qeveri do të mbahet mend si qeveria me jetë shkurtër që ka pasur Kosova jo vetëm që nga pavarësimi i saj, por edhe që nga çlirimi dhe vendosja e sistemit shumë partiak të qeverisjes së vendit.

Image
Nexhat Haziri

Sipas tij, qeveria dhe koalicioni qeverisës nuk e ka asnjë shumicë të thjeshtë të garantuar.

“Një qeveri që ka më shumë se një kryeministër dhe puna e saj është e fraksionuar me përgjegjësi të ndara në raport me punën dhe funksionimin e ministrive, ku se cili ministër i jap përgjegjësi kryetarit të partisë së tij, e më pas kryeministrit. Kauzat e rrejshme me anë të cilave ka ardhur në pushtet ky koalicion qeverisës, jo kredibiliteti demokratik dhe ndërkombëtar i vet shefit të qeverisë së Kosovës, mungesa e një platforme të qartë qeverisëse dhe po ashtu mungese kreativiteti në agjendën evropiane të Kosovës, e faktorë të tjerë që e bëjnë këtë qeveri të ikë sa më shpejtë, për të mirën e Kosovës dhe të ardhmes së saj. Po ashtu, e njëjta pasqyrë e mosfunksionimit të Kuvendit të Kosovës, pasi edhe ky institucion është në mungesë të shumicës parlamentare, dhe në mungesë të saj,  Kosova rrezikon të humbë në shumë procese, të cilat kërkojnë dy të tretat e votave, për çështje që janë shumë me rëndësi për vendin” ka thënë opinionisti Haziri.

 Ndërsa analisti Faik Krasniqi ka thënë se një Qeveri me 61 deputetë nuk mund të jetë kurrë stabile.

Image
Faik Krasniqi

Sipas tij, jetëgjatësia e kësaj qeverie varet nga suksesi i kryeministrit Haradinaj.

“Nëse Haradinaj arrin që agjendat t’i shtyjë përpara, po ashtu edhe luftimin e korrupsionit, hapjen e vendeve të reja të punës dhe liberalizimin e vizave, atëherë numrat s’do luajnë kurrfarë rroli. Por nëse dështon në këto premtime që ka dhënë, atëherë rrëzimi i kësaj qeverie do të jetë i pashmangshëm. Sidoqoftë, opozita nuk mund ta rrëzojë qeverinë pa ndihmën e deputetëve të shumicës, dhe brenda pak muajve të mbahen tri palë zgjedhje, të shpenzohen dhjetëra miliona euro, mendoj se është një luks i madh për Kosovën që ka mbi gjysmën e popullatës të papunë”, është shprehur Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat