LDK i kundërpërgjigjet Aleksandër Vuçiqit për Vjosa Osmanin e Lutfi Hazirin

Politika

LDK i kundërpërgjigjet Aleksandër Vuçiqit për Vjosa Osmanin e Lutfi Hazirin

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 2 nëntor 2017 Në ora: 07:55
Vjosa Osmani dhe Lutfi Haziri

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të bëhet asnjëherë pjesë e qeverisë Haradinaj. Kështu kanë deklaruar për gazetën “Bota sot”, zyrtarë të LDK-së të cilët i janë kundërpërgjigjur Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq i cili ka parashikuar tërheqjen e Listës serbe nga Qeveria si kundërshtim për formimin e ushtrisë se Kosovës dhe bashkimin e LDK-së në një koalicion me këtë qeveri.

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka parashikuar se në të ardhmen Lista Serbe mund të largohet nga Qeveria e Kosovës për shkak të ushtrisë.

Ai ka deklaruar se pas këtij skenari LDK mund të bëhet pjesë e Qeverisë. Madje, Vuçiq ka thënë se në krye të LDK-së shpejt mund të emërohet Vjosa Osmani ose Lutfi Haziri.

Image
Bajram Gecaj

Mirëpo, Bajram Gecaj, ish zv.ministër i Administrimit dhe Pushtetit Lokal si dhe njëkohësisht anëtar i LDK-së, ka thënë se e ka siguruar Vuçiqin dhe bashkëmendimtarët e tij në Kosovë se LDK-ja nuk do t’i bashkëngjitet asnjëherë kësaj qeverie.

Sipas Gecajt, ata do ta përmbysin qeverinë aktuale sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Unë menjëherë kam thënë publikisht se propagandës së elementëve të koalicionit qeverisës dhe të VV-së, ju kishte bashkangjitur tani edhe pjesa tjetër e koalicionit i cili kishte përkrahur mocionin e vetëbesimit kundër qeverisë së udhëhequr nga LDK-ja. Megjithatë e sigurova Aleksandar Vuçiq, dhe bashkëmendimtarët e tij në Kosovë, që LDK nuk do t’i bashkëngjitet asnjëherë kësaj qeverie, por se do ta përmbysi atë në afatin më të shpejt të mundur” ka pohuar Gecaj.

Sipas Gecajt, Vuçiqi ka një ndikim të jashtëzakonshëm në qeverinë aktuale, e këtë ndikim nuk e ka pasur asnjëherë në qeverinë Mustafa.

Ai ka shtuar se nuk ka e as nuk do të ketë ndonjë zyrtar të Serbisë që mund të ketë ndikim në politikë-bërjen e LDK-së.

“Edhe pse Aleksandar Vuçiq tani për tani ka ndikim të jashtëzakonshëm dhe vendimtar në Qeverinë Haradinaj, një ndikim të tillë nuk e ka pasur kurrë në Qeverinë Mustafa, dhe posaçërisht jo tani kur ne jemi në opozitë. Pra, as nuk ka as nuk do të ketë kurrë ndonjë zyrtar i Serbisë ndikim në politik-bërjen e Lidhjes Demokratike të Kosovës, parti e cila është më meritorja për largimin e pushtimit shumëvjeçar serbo-sllav nga territori i Kosovës. Tani koha se kur kjo mund të ndodhë varet nga rrethanat politike, sepse në këtë moment koalicioni ende zotëron, edhe pse mu në margjinat e nevojshme, 61 apo 62 vota, kështu që rrëzimi i saj mund të vijë në momentin kur në mesin e atyre 24 partive shumëngjyrëshe nga koalicionin qeverisës të “plasi ndonjë sherr” i papërballueshëm, e që unë besoj se nuk do tu shkojë shumë gjatë. Një gjë që është e sigurte është se kjo qeveri nuk do të mund të shtyjë para asnjë çështje të rëndësisë së madhe nacionale, veç interesave partiake, klanore e individuale të qeveritarëve të përbashkuar me ndihmën e sekserëve e matrapazëve” ka theksuar Gecaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat