Vazhdon izolimi i qytetarëve të Kosovës

Politika

Vazhdon izolimi i qytetarëve të Kosovës

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 7 nëntor 2017 Në ora: 14:27
ilustrim

Demarkacioni, është kushti kryesor i vendosur nga Bashkimi Evropian që tashmë disa vite po mban të izoluar qytetarët e Kosovës. Komisioni i ri i krijuar nga Qeveria, thonë se kanë gjetur fakte të reja për gabimet që janë bërë me shënjimin e vijëz kufitare me Malin e Zi,  por deri më tani nuk kanë publikuar ndonjë raport me këto fakte. Lidhur me problemin e Demarkacionit, politologu Mentor Tahiri ka thënë për “Bota sot” se ky problem po e stërzgjatë izolimin e qytetarëve të Kosovës , si dhe po e humbet serioziteti i vendit karshi politikës ndërkombëtare.

Image
Mentor Tahiri

“Çështja e demarkacionit tani po bëhet tregues i reflektimit apo mosreflektimit të kabinetit të sotëm qeveritarë por edhe përgjithësisht skenës politike, lidhur me të ardhmen e vendit. Ka tre vite që po stërzgjatet izolimi i qytetarëve të Kosovës, e njëkohësisht po humbet serioziteti i Kosovës në kuadër të sistemi politik ndërkombëtarë, pikërisht me një kauzë e cila nuk po argumentohet dot”, është shprehur ai.

Për më tepër, Tahiri ka shtuar se nëse është bërë gabim duke e ngritur artificialisht këtë çështje, gabimi duhet pranuar dhe kësaj çështjeje duhet dhënë fund.

“Opinioni publik tanimë e ka kuptuar se është luajtur me ndjenjat atdhetare të qytetarëve. Për tre vite me radhë është zbatuar një linçim publik kundër secilit që demarkacionin e konsideronte një kauzë të rrejshme, krejt kjo në kuadër të një mendësie ku gjoja patriotët po mbrojnë shitjen e territorit të Kosovës nga tradhtarët”, ka theksuar Tahiri për “Bota sot”.

Po ashtu, ai ka shtuar se demarkacioni ka nisur si një kauzë për të bllokuar qeverinë e kaluar.

“Ka ndodhur çfarë ka ndodhur, por Kosova nuk ka luksin që të vazhdohet më tutje me këtë aventurë. Duhet marrë seriozisht edhe paralajmërimet e Lunacek lidhur me mbylljen e derës nga ana Bashkimit Evropian”, ka përfunduar Tahiri.

Image
Ali Hertica

Ndërsa, analisti tjetër, Ali Hertica ka thënë se në rrethanat në të cilat është  tani shteti i Kosovës po del se të gjitha hartat faktografike nuk kanë lëvizur fare nga vija kufitare, ku sipas tij deri me tani ky komision nuk ka gjetur fakte të reja rreth humbjes se territorit me Malin e Zi.

“E gjithë kjo që po tregohet deri më tani po del se është politike në bazë të indikacioneve po që nuk  del se është humbur territori i Kosovës ku të ketë ndryshim në qëndrimet e palëve rreth demarkacionit. Është e pakuptimtë që një numër i njerëzve kaq lehtë i kundërshtojnë marrëveshjet  ndoshta vetëm për egot e tyre politike dhe ardhjen në pushtet sepse Mali i  zi nuk do të ketë interes për arbitrazh dhe nuk do kërkon ajo ketë nismë, ku kjo del se Kosova ka humbur politikisht dhe financiarisht duke humbur kohën për të marr liberalizmin e vizave” , ka theksuar Hertica për “Bota sot” . 

“Kosova do të njihet përmes këtyre kufijve dhe të jenë kufij ndërkombëtarë, këta janë kufijtë e sovranitetit të vend ku kjo do jetë realiteti ndërkombëtar për Kosovën ,ndërsa komisioni i tanishëm po që nuk do ketë fakte të reja duhet të jap llogari para qytetarit ,për zvarritje dhe humbje kohe ku do vjen deri tek humbja e besimit et plotë të qeveris ku do kërkohen rrëzimi saj “, ka përfunduar Hertica për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat