Dështon Ramush Haradinaj

Politika

Dështon Ramush Haradinaj

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 8 nëntor 2017 Në ora: 07:02
Ramush Haradinaj

Kryeministri Haradinaj mbanë përgjegjësi politike dhe institucionale, nëse qytetarët e shtetit të Kosovës deri në fund të vitit nuk mund të udhëtojnë pa viza nëpër shtetet e Bashkimit Evropian.

Kjo për faktin se gjatë fushatës elektorale, Haradinaj premtonte se me ardhjen e tij në pushtet, Kosova brenda tre muajve do të ketë liberalizimin e vizave.

Por, njohës të çështjeve politike dhe integrimeve evropiane thonë se vendi nuk mund të ketë liberalizim të vizave, nëse qeveria nuk i jep një epilog çështjes së demarkacionit që është kushti kryesor i Brukselit.

Nga ana tjetër, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës paralajmërojnë  se ata shumë shpejt do të thërrasin në interpelancë kryeministrin Haradinaj për të raportuar para ligjvënësve për mos përmbushje të premtimit për liberalizim të vizave.

Rugova: Ne do të kërkojmë interpelancë kryeministrin

Image
Naser Rugova

Deputeti i LDK-së, Naser Rugova thotë se është e pamundur që liberalizimi i vizave për Kosovën të bëhet brenda këtij viti, ashtu siç premtonte i pari i qeverisë.

Por ai thotë se befason fakti që kryeministri edhe pas zgjedhjeve po premton vizat.

“Jo vetëm gjatë fushatës, por kryeministri i vendit premtimin për liberalizimin e vizave së bashku me partnerët e tij të koalicionit po e vazhdon ende. Pra, edhe pas marrjes së postit të parit të qeverisë, ai po premton për vizat”, tha për “Bota sot” deputeti Rugova.

“Çdo fjalë publike që lansohet nga bartësit kryesor të institucioneve të vendit, nëse nuk përmbushet, ne do të kërkojmë përgjegjësi si parti me logjikë institucionaliste”.

Sipas Rugovës, Haradinaj po bie në kontradiktë me aleatët e Kosovës sa i përket çështjes së demarkacionit që është kriteri kyç për liberalizim të vizave.

“Ne jemi duke i pritur edhe hapat e fundit për kriterin kyç për vizatë që është demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, sepse diçka tjetër po thotë Bashkësia Evropiane dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, diçka tjetër po thotë kryeministri duke i dëgjuar tani edhe deklaratat tejet kontradiktore mes presidentit të vendit dhe kryeministrit”, tha ai.

Ai paralajmëroi se subjekti i tij politik shumë shpejt do të thërras kryeministrin Haradinaj në interpelancë.

“Thjesht ne do ta kërkojmë një interpelancë në Kuvendin e Republikës së Kosovës ku do ta ftojmë kryeministrin e vendit që të na informojë në detaje për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi dhe deri ku ka arritur situata në përgjithësi me përmbushjen e kritereve që ndërlidhet me liberalizimin e  vizave”, shtoi Rugova.

Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi thotë se ata do t’i kërkojnë llogari Haradinajt, por sipas tij, qeveria duhet të kërkojë nga Bashkimi Evropian që të hiqet kushti i demarkacionit për liberalizim të vizave.

Image
Ali Lajçi

“Ne sigurisht që do t’i kërkojmë përgjegjësi Haradinajt për mos liberalizimi të vizave, por për neve si Vetëvendosje është me rëndësi që të ndahet çështja e vizave me demarkacionin”, tha Lajçi për “Bota sot”.

Ai thotë se demarkacioni nuk duhet të kushtëzohet në çdo moment dhe në çdo fjalë.

“Krejt vendet fqinje kanë marrë liberalizimin e vizave e nuk, e kanë bërë ende demarkimin, kurse neve po na kërkohet paraprakisht demarkimin, pastaj vizat”, u shpreh Lajçi.

Ai shtoi se Kosova ka marrëdhënie të mira me Malin e Zi.

Haradinaj mbanë në përgjegjësi për premtimet

Se Haradinaj duhet të mbajë përgjegjësi politike e thotë edhe njohësi i çështjeve politike Artur Roshi.

Image
Artur Roshi

“Premtimet politike janë parashikime dhe në se ka këmbëngulje dhe realizohen, faktori kohë neglizhohet përballë problematikës që del e paparashikuar. Nëse nuk mbahet premtimi sigurisht shoqërohet me kosto politike në zgjedhjet që vijnë”, tha ai për “Bota sot”.

“Haradinaj për të qenë korrekt me qytetarët, mund të shprehi politikisht arsyet që çojnë në shtyrjen e marrjes së vizave apo thënë ndryshe për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës”, tha më tej Roshi.

Edhe Sami Blakaj, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë se Haradinaj mbanë përgjegjësi për premtimet e tij për interesa jetike të vendit.

Image
Sami Blakaj

“Haradinaj nuk i takon rangut të thjesht prej politikani, por është kryeministër i vendit dhe si i tillë mbanë përgjegjësi politike dhe institucionale për çdo fjalë të dhënë, veçmas për premtimet e bëra që prekin interesin jetik të qytetarëve të vendit, në rastin konkret liberalizimin e vizave”, tha Blakaj.

Pa demarkacion s’ka viza

Demarkacioni po shihet nga analistët si problemi kryesor për mos liberalizim të vizave.

Drejtori i organizatës Çohu, Arton Demhasaj, ka thënë se janë të çuditshme pritjet e Haradinajt për liberalizim të vizave, pa u përfunduar çështja e demarkacionit.

Image
Arton Demhasaj

“Po mendoj se pa iu dhënë një epilog çështjes së Demarkacionit nuk besoj se do të ketë gjasa për liberalizim të vizave ose që procesi që ecë përpara. Nuk e di se si po mendon qeveria që të pres një lajm të mirë për vizat kur e dimë se kushti kryesor është ky”, ka thënë Demhasaj për “Bota sot”.

Nga ana tjetër, profesori i së Drejtës Evropiane, Emrush Ujkani ka thënë se duhet një konsensus i përgjithshëm në vend, në mënyrë që të punohet për liberalizim të vizave.

Image
Emrush Ujkani

“Duhet t’i jepet përgjigje çështjes së demarkacionit. Kjo donë një zgjidhje sa më shpejt që është e mundur, dhe për këtë duhet të ketë një lëvizje në këtë drejtim. Kryeministri Haradinaj dhe lidershipi jonë, duhet të kërkojnë konsensus nacional që të gjendet një zgjidhje e cila është e pranueshme për të gjithë, në mënyrë që të mbyllet ky kapitull dhe t’i hapet rrugë liberalizimi të vizave”, ka thënë Ujkani për “Bota sot”.

Kurse, analisti Sami Blakaj thotë se për liberalizim të vizave, Kosova duhet të bëhet më shumë edhe në luftimin e korrupsionit.

“Lëvizja e lirë e qytetarëve kosovarë drejt BE-së nuk varet nga premtimet politike, por nga veprimet konkrete politike. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si dhe miratimi i demarkacionit lidhen direkt me liberalizimin e vizave dhe për t'u arritur tema si këto kërkohet një vullnet dhe ujdi jo vetëm e kryeministrit dhe kabinetit qeveritar, por i gjithë faktorit politik shqiptar”, tha Blakaj.

Blakaj thotë se nuk sheh një diponim të mundshëm nga ana e partive politike për t’i përmbushur kriteret kryesore për vizat.

“Bazuar në kushtet dhe rrethanat aktuale politike, mendoj se arritja e një konsensusi të përbashkët politik është vështirë i arritshëm, të paktën jo në një periudhë të afërt kohore dhe kjo padyshim se do ta vështirësoj për të mos thënë do ta pamundësoj realizimin e premtimit të kryeministrit që brenda tre muajve qytetarët kosovarë do të lëvizin lirshëm drejt vendeve të Evropës”, shtoi Blakaj.

Ndryshe, me 9 shtator Haradinaj është zgjedhur kryeministër nga ana e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Kurse, me 9 dhjetor bëhen tre muaj që ai është zgjedhur në postin e të parit të qeverisë, dhe mbetet të shihet se a do marrë Kosova liberalizimin e vizave deri në këtë kohë.

Ndryshe, Haradinaj në fushatën zgjedhore të 11 qershorit, kishte premtuar se Liberalizimi i vizave dhe formimi i Ushtrisë do të bëhet brenda 3 muajve.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat