Numri i madh i zëvendësministrave, Rugova ka një paralajmërim për Haradinajn

Politika

Numri i madh i zëvendësministrave, Rugova ka një paralajmërim për Haradinajn

Albulena Jahaj Nga Albulena Jahaj Më 8 nëntor 2017 Në ora: 15:04
Naser Rugova

Qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj pothuajse çdo ditë ka prezantuar nga një zëvendësministër të ri të emëruar nëpër ministri të caktuara. Deri tani, në disa dikastere qeveritare janë emëruar edhe nga 4 zëvendësministra. Një qeveri më një numër kaq të lartë të zëvendësministrave dhe këshilltarëve politik është e pa nevojshme dhe në këtë rast do të jetë edhe shumë jofunksionale.

Naser Rugova deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka thënë për “Bota sot”, se emërimi i një numri të madh të zëvendësministrave dhe stafit tjetër politik do të jetë shumë e kushtueshme për buxhetin e Kosovës.

“Konsideroj se është një qeveri shumë heterogjene në aspektin e përbërjes partiake por edhe shumë glamoroze dhe jofunksionale nga aspekti i numrit të ministrive e në veçanti numrin e zv. ministrave dhe pjesën tjetër të stafit politik. Kjo është tejet e kushtueshme për buxhetin e vendit” ka thënë Rugova.

Ndryshe, zyra e kryeministrit Ramush Haradinaj, përmes një përgjigjeje me shkrim, nuk ka treguar se sa është numri i zëvendësministrave, por ka lënë të kuptohet se emërime do të ketë edhe në ditët në vijim.

Sipas deklarimit të pasurisë, pagat e zëvendësministrave sillen nga 1 mijë e 200 deri në 1 mijë e 800 euro. Ndërsa Qeveria Haradinaj gjithsej ka 21 ministri.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat