Gjykata Speciale dëmton PDK-në

Politika

Gjykata Speciale dëmton PDK-në

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 9 nëntor 2017 Në ora: 12:30
Gjykata Speciale

Nxjerrja e direktivës nga ana e Gjykatës Speciale me të cilën ftohen avokatët që të paraqiten në Dhomat e Specializuara për “certifikim” nga administrata e këtij institucioni ka ngritur një debat në opinionin publik në vend.

Njohësit e çështjeve juridike thonë se përfundimi i rekrutimit të palës mbrojtëse çon në fazën përfundimtare të kompletimit të këtij institucioni që pason me ngritjen e aktakuzave.

Kurse, analistët politik në vend thonë se Partia Demokratike e Kosovës është subjekti politik, njerëzit e së cilës do të jenë cak i aktakuzave të kësaj gjykate.

Ata thonë se në mesin e të akuzuarve mund të jetë edhe presidenti, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Është përgatitur legjislacioni për fillimin e punës speciale

Image
Adrian Gjoshi

Njohësi i çështjeve juridike, Adrian Gjoshi thotë se tanimë Specialja është në përfundim të funksionalizimit për ngritjen e aktakuzave.

“Pas shpalljes dhe hyrjes në fuqi të Direktivës për Avokatë (mbrojtësit), Gjykata Speciale ka përgatitur gjithë legjislacion, edhe primar edhe sekondar që i është nevojitur për fillimin e punës”, thotë Gjoshi për “Bota sot”.

Sipas tij, krejt çka mbetet është aplikimi i avokatëve për t'iu bashkangjitur Listës së Avokatëve në Gjykatën Speciale.

“Pas kalimit të afatit për ankesa nga ana e avokatëve që mund të mos pranohen nga paneli emërues – Gjykata Speciale funksionalizohet tërësisht”, shtoi Gjoshi.

Edhe avokati i njohur, Tomë Gashi thotë se nxjerrja e direktivës nga ana e Gjykatës Speciale për pranimin e mbrojtësve, tregon se ky institucionin është shumë afër ngritjes së aktakuzave.

Image
Tomë Gashi

“Sigurisht që pas nxjerrjes së Ligjit për Gjykatën Speciale që nga muaji gusht i vitit 2015, tani më është shumë afër funksionalizimi i tërësishëm i Gjykatës Speciale dhe kjo është duke u përmbyllur me nxjerrjen e udhëzuesit për regjistrimin e avokatëve mbrojtës, si dhe të avokatëve të viktimave pranë kësaj Gjykate”, Gashi për “Bota sot”. 

Specialja dëmton PDK-ë

Analistët politik thonë se Gjykata Speciale do të dobësojë më së shumti Partinë Demokratike të Kosovës.

“Faktikisht dal ngadalë do ketë dridhje politike ku PDK dhe AAK do kenë vështirësitë kryesore nga mbrojta e njerëzve të tyre nga Gjykata Speciale, por  më së shumti do të goditën ata të PDK-së”, thotë ish-anëtari i SHIK-ut, Naim Miftari.

Image
Naim Miftari

“Sipas meje këto ngritje të aktakuzave do ta dobësojnë shumë PDK-në”.

Por, Miftari thotë se kjo gjykatë duhet të merret edhe me dënimin e forcave serbe që kryen krime në Kosovë.

“Por, besoj se kjo gjykatë nëse nuk merret me vrasjet qe i kanë bërë forcat serbe ndaj shqiptarëve duarthatë, dhe nëse kjo gjykatë nuk merret me vrasjet e cilësuara si politike, atëherë do jetë një gjykatë selektive, jo efikase dhe jo e drejtë”, shtoi ai.

“Pasi dështoi UNMIK-u, dështoi EULEX-i dhe nëse edhe kjo gjykatë dështon në dënimin e vrasjeve të mbi 14.000 civilëve shqiptarë, dhunimeve masive, djegieve dhe pastrimit etnik, atëherë nuk do jetë gjykata, por vetëm farsë kinse po bëjmë drejtësi”, shtoi Miftari.

Kurse, analisti tjetër Jeton Kelmendi thotë se nga njerëzit që po i frikësohen aktakuzave është edhe kreu i shtetit, Thaçi.

Image
Jeton Kelmendi

“Nuk mund të parashikoj se cilën parti do mund ta prekë më së shumti kjo instancë, nuk dua ta paragjykoj se është shumë vështirë. Por, njerëzit që po i frikësohen kësaj gjykatë, janë krerët e institucioneve, diku filluar nga presidenti Thaçi, kryeparlamentari Veseli, e kështu me radhë”, tha Kelmendi për “Bota sot”.

Sipas tij, Specialja është e lidhur ngushtë me presidentin.

“Mendoj se nga kjo gjykatë mund të frikësohen ata që eventualisht dyshohen të  kanë marrë pjesë në ndonjë krim për të cilën nuk kemi as prova as fakte. Por, kjo Gjykata është e lidhur kryekëput me kokën e Hashim Thaçit dhe sejmenëve të tij, sepse mbi akuzat e Dick Martit ka filluar ideja për themelimin e Gjykatës Speciale, por kur do të dënohet e gjykohet mbetet për tu parë”, shtoi Kelmendi.

Mehmeti: Thaçi dhe Veseli pritet të jenë peshqit e mëdhenj, të cilët do të përballen me mëkatet e tyre

Analisti Faton Mehmeti thotë se me fjalën krim dhe korrupsion sinonimikisht del PDK-ja.

Image
Faton Mehmeti

“Kjo parti që ka instaluar krimin, vrasjet dhe korrupsionin në Kosovë pritet të dëmtohet më së shumti nga fillimi i punës së Gjykatës Speciale”, tha Mehmeti për “Bota sot”.

“Kjo gjykatë pritet të nxjerr të gjithë të palarat që Kosovës ia kanë bërë ata që nën maskën e çlirimtarit, vranë, grabiten dhe nuk lanë gjë të keqe pa i bërë Kosovës. Përpos PDK-së ka edhe nga AAK-ja ndonjë që mund të goditet, njerëz të krimit.

Mehmeti thotë se në mesin e tyre mund të jetë edhe Thaçi dhe Veseli.

“Ndërkohë që VV-ja dhe LDK-ja nuk pritet që të goditen nga kjo valë, përpos ndonjë deputeti të VV-së që ka mundësi të jetë i akuzuar. Në rend të parë besoj se do të akuzohen personat që janë në listën e zezë të SHBA-së, pastaj edhe disa të tjerë që janë në krye të shteti. Thaçi dhe Veseli pritet të jenë peshqit e mëdhenj, të cilët do të përballen me mëkatet e tyre . Është shansi i fundit që Gjykata Speciale të vë drejtësinë e munguar tash e 18 vjet, vetëm duke u ballafaquar më të vërteten Kosova mund të shoh perspektive”, thotë ai.

Ai thotë se pas aktakuzave të Speciales PDK do të shndërrohet një parti minore.

“Kosova duhet të njohë të vërtetën e atyre që i bënë dëme të mëdha vendit, dhe nëse Gjykata Speciale vepron, siç duhet dhe nuk korruptohet atëherë me shanse PDK edhe mund të mbetë parti minore, mos me thënë se mund edhe të zhduket fare”, shtoi Mehmeti.

Shpresohet në zbardhjen e vrasjeve të LDK-së

Image
Skender Zogaj

Nga ana tjetër, publicisti Skender Zogaj shpreson se kjo gjykatë do t’i dënojë edhe ata që vranë veprimtarët e LDK-së.

“Direktiva e Gjykatës Speciale për reduktimit të palës mbrojtëse unë e shoh si përqendrim për angazhim serioz të realizimit të misionit që Gjykata ka marrë mbi vete! Shpresa është e madhe që Gjykata do të zbardh krimet dhe do të ndëshkojë kriminelët, kushdo qofshin ata! Shpresa është e madhe se, do të zbardhen edhe vrasjet e veprimtarëve politikë të LDK-s nga atentati kundër ministrit Ahmet Krasniqi e deri te vrasjet e pasluftës”, thotë Zogaj.

Zogaj thotë se me rëndësi është që të ky institucion t’i zbardh krimet dhe t’i dërgoj prapa grilave kriminelët.

“Para se te shohim të akuzuarit në Gjykatë nuk mund të dihet se çfarë do të ndodh më skenën politike! Por, e rëndësishmja kryesore është që gjykata të zbardh krimet dhe të vihen prapa grilave kriminelët”, shtoi Zogaj.

Ndryshe, Gjykata Speciale të hënën ka miratuar një direktivë në të cilën ftohen avokatët që të paraqitën në Dhomat e Specializuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat