Vetëvendosje flet për “heqjen” e vijave të kuqe ndaj PDK-së

Politika

Vetëvendosje flet për “heqjen” e vijave të kuqe ndaj PDK-së

Arben Sylejmani Nga Arben Sylejmani Më 10 nëntor 2017 Në ora: 07:33
Vetëvendosje

Në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se disa portale kanë përcjell gabim deklaratën e kandidatit të këtij subjekti politik, Sami Kurteshi se ai është në gjendje të bëj koalicion edhe me PDK-në në nivel lokal në komunën e Gjilanit.

“Ju falënderojmë për mundësinë që na jepni për ta sqaruar këtë çështje rreth së cilës janë ngritur shumë keqkuptime. Kryetari i ardhshëm i Gjilanit, z. Sami Kurteshi në emisionin Rubikon e në emisione të tjera, në asnjë moment nuk ka folur për koalicione me cilëndo parti, por kjo është përcjellë gabim prej portaleve”, tha për “Bota sot” Tinka Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje. 

Image
Tinka Kurti

“Nga ana tjetër z. Kurteshi ka thënë se qeveria e LV do të jetë gjithëpërfshirëse, e do të jetë me dhe për të gjithë qytetarët, pa marrë parasysh a janë votues të PDK, AAK, Nisma apo LDK”.

Sipas saj, Kurteshi e ka kërkuar bashkëpunimin e gjithë qytetarëve të Gjilanit, pra edhe të votuesve të PDK, për ta sjellë ndryshimin në atë qytet.

“LV në asnjë instancë qendrore apo lokale nuk do të amnistojë asnjë shkelës të ligjit, por nuk do të tregohet përjashtuese ndaj njerëzve të mirë të secilës parti qofshin. Kjo për ne është themel i demokracisë”, shtoi ajo.

Analistët politik: Edhe Vetëvendosje po futet në pazare politike për pushtet

Nga ana tjetër, analisti Haki Abazi thotë se deklarata e fundit e Sami Kurteshit tregon se edhe Vetëvendosje ka hyrë në “pazare” politike për pushtet.

Image
Haki Abazi

“Jam duke përcjellë me kujdes vendimet që janë duke u marrë për lidhjen e koalicioneve në balotazh. Ato që kanë ndodhur deri më tani kanë përfshirë edhe Vetëvendosje në "pazaret" ndërmjet partive politike për ç ‘gjë kanë qenë kritike gjatë gjithë kohës”, tha Abazi për “Bota sot”.

“Koalicioni në Prishtinë ndërmjet VV-së dhe AKR-së dhe hapja për koalicion më PDK-në në Gjilan kanë tejkaluar të gjitha qëndrimet e deritanishëm të VV-së për lidhje koalicioni me partitë tjera dhe po tregon që askush nuk është imun kur vije tek llogaria për të ardhë në pushtet”, thotë ai.

Abazi thotë se duhet të rishikohet sistemi elektoral për shkak të këtyre koalicioneve të panatyrshme.

“Është shumë problematike se çfarë është duke ndodhur me ofertat e partive politike dhe sa e margjinalizojnë rëndësinë e votës qytetare kur behën koalicione ndërmjet partive që dallojnë në thelb në përcaktimet e tyre dhe ne masë të madhe e ndikojnë zbatimin e ofertave që janë bërë në raundin e parë. Kjo formë e sjelljes së partive ngreh domosdoshmërinë e rishikimit të sistemit elektoral për të ruajtur se paku thelbin e votës qytetare”, shtoi Abazi.

Image
Arton Demhasaj

Koalicioni me PDK-në, dëmton me VV-në

Edhe Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë se ai sheh një ndryshim të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Normalisht që ka filluar të ndryshoj Lëvizja Vetëvendosje tash dihet qasja e ndryshme që kanë ata ndaj koalicioneve të ndryshme që po bëhen në nivel lokal, por kjo është gjithmonë në kuadër të zgjedhjeve lokale të koalicioneve në komuna të caktuara që në njëfarë mënyrë rezultati i zgjedhjeve të raundit të parë i obligon partitë për të menduar në kuadër të koalicioneve dhe po i konsideroj që pak jo parimore nëse arrihet një marrëveshje e tillë në mes së Vetëvendosjes dhe PDK-së për shkak të asaj që e dimë se prej që është themeluar Lëvizja Vetëvendosje, gjithmonë tendenca e saj ka qenë së ajo ka vija të kuqe me PDK-në dhe asnjëherë nuk do të jetë në koalicion në asnjë lloj niveli me Partinë Demokratike”, tha Demhasaj për “Bota sot”.

Sipas tij, në rast se bëhet një koalicion i mundshëm në Gjilan, në mes së Vetëvendosjes dhe PDK-së, i bien që vijat e kuqe më nuk po mbeten në asnjë partipolitike.

“Pa dyshim që edhe nëse nuk arrihet një koalicion VV-PDK, vetëm deklaratat e tilla që deri tash kanë dal në publik se mund të jetë një koalicion të tillë e dëmtojnë Lëvizjen Vetëvendosje, sepse e dimë që një pjesë të madhe të votuesve që Lëvizja Vetëvendosje që e ka është pikërisht për shkak të qasjes kundër PDK-së që në njëfarë mënyrë ka qeverisur në nivele të ndryshme në Kosovë dhe ata e shohin dhe nga njëra nga ato partie që i kanë shkaktuar keq qeverisje kësaj shoqërie. Kështu që vetëm deklaratat të zyrtarëve të VV-së që nuk ka vija të kuqe me PDK-në, e dëmton Vetëvendosjen e karshi elektoratit”, shtoi Demhasaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat