Analisti politik Hidajet Ahmeti ka thënë për “Bota sot” se formimi e jetëgjatësia e Qeverisë Haradinaj ka qenë dhe është e determinuar nga Lista serbe, e cila me njëfarë mënyrë ka dirigjuar Qeverinë Haradinaj në vazhdimësi.
“Instrumentalizimi dhe reduktimi i mandatit kushtetues e ligjor të Qeverisë Haradinaj është si shkak i kushtëzimit të Listës serbe që nga formimi i Qeverisë, duke reflektuar me vendimmarrje të zbehtë dhe një qeverisje të paintegruar në harmoni me hierarkinë institucionale”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.
Gjithashtu, ai ka thënë se ky sundim e jo qeverisje me bashkëveprim e bashkërendim me Listën serbe po e dëmton substancën e Republikës e po fuqizon Serbinë brenda Kosovës.
“Lista serbe nuk përfaqëson interesat e komunitetit serb që jetojnë në Kosovë, por është dorë e zgjatur e shtetit serb, e cila përmes veprimeve të saj po e dëshmon se shteti serb e ka instrumetalizuar këtë forcë politike për qëllime të dëmtimit të shtetit të Kosovës e jo për përfaqësim të komunitetit serb që jetojnë në Kosovë. Kjo logjikë e kushtëzimit nga një forcë minore politike është paralel më qëndrimin në pushtet të disa individëve që arsyetojnë veprimet tyre për qëllime të zgjatjes së pushtetit me çdo kusht”, ka përfunduar Ahmeti për “Bota sot” .