Kryeministri i zënë peng nga Lista Serbe! “Haradinaj ta ekstradojë Thaçin”

Politika

Kryeministri i zënë peng nga Lista Serbe! “Haradinaj ta ekstradojë Thaçin”

Arbnore Zhushi Nga Arbnore Zhushi Më 2 prill 2018 Në ora: 09:19
Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj

Në konferencën e mbajtur gjatë ditës së shtunë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka dalë kundër kryeministrit Ramush Haradinaj, teksa ka folur për rastin e arrestimit të drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Thaçi ka thënë se Gjuriq kishte hyrë në Kosovë një ditë para se të arrestohej nga Policia e Kosovës dhe se ai kishte fjetur  në banesën e mikut të Haradianjt, Milan Radojiçiq në veri të vendit.

Për këtë madje sipas tij, kanë ditur edhe persona të tjerë dhe ndaj tyre do të merren masa.

“Në hulumtimin dhe shqyrtimin e rastit, doli se Gjuriq ka hyrë të dielën mbrëma në Kosovë, Gjuriq e ka kaluar natën në banesën e Milan Radojiçiq, dhe që disa individëve të mekanizmave institucionalë të Kosovës kanë qenë në dijeni të plotë të prezencës së tij në Kosovë, ky është shqetësimi im, jo veprimi i Policisë. Kështu do të shikohen të gjitha hallkat e mekanizmave të sigurisë”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

Në një emision televiziv së fundmi, kryeministri Haradinaj kishte deklaruar se e njeh dhe takohet me Milan Radojiçiqin, me të cilin flasin rregullisht për problemet e serbëve të veriut. Ndërkohë, presidenti edhe më herët kishte kërkuar arrestimin e Radoijçiqit, si i dyshuar i përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

“Autoriteti i tij në veri. Më duhet veriu, më duhet me mbërri te të gjithë që kanë autoritet atje, të komunikoj me ta, ta integrojmë veriun, t’i sigurojmë që është siguri për të gjithë”, kishte deklaruar Haradinaj, i pyetur për lidhjet me Radojiçiqin.

E për lidhjen e Radojçiqit me vrasjen e liderit serb, Oliver Ivanoviq, Haradinaj kishte thënë se për këtë duhet pyetur prokurorinë.

Por, Haradinaj ishte kritikuar ashpër për heshtjen e tij në ditën kur Marko Gjuriq nuk respektoi vendimin e Kosovës dhe u arrestua e u depërtua për në Serbi.

I pyetur nga media se pse nuk foli atë ditë, Haradinaj u arsyetua se dikush duhej të punonte.

“U mbush televizioni, fol ai, fol ai, dikush duhet të punojë”, ishte përgjigjja e Haradinajt, i cili ka pranuar se ishte informuar të dielën në mbrëmje për ndalesën që i është bërë Marko Gjuriqit që të hynte në Kosovë.

 “Unë jam informuar të dielën në mbrëmje. Motivi pse është ndaluar mund të diskutohet, për bindjen time nuk kam asgjë kundër që Gjuriq të vijë në Kosovë mirëpo kuptohet brenda procedurave. Qëndrimi im ka qenë që të zbatohet protokolli dhe nëse ministria e Drejtësisë nuk e ka dhënë lejen atëherë ministria e Brendshme le të veprojë. Kanë vendos Kushtetuta dhe ligjet”, ka thënë ai.

Mirëpo, reagimi i “butë” i kryeministrit, sipas njohësve të zhvillimeve politike, erdhi për shkak se Haradinaj është i zënë peng nga Lista serbe.

Mehmeti: Haradinaj i zënë peng nga Lista serbe

Image
Faton Mehmeti

Duke komentuar në lidhje me këtë në një prononcim për gazetën “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti, ka thënë se Thaçi është i motivuar nga fakti që Radojçiq, ishte kumbara i koalicionit qeverisës. Ai ka theksuar se presidenti ka nisur “ofenzivë” për të larguar Haradinajn nga pushteti.

“Nuk është sekret që Milan Radojçiq është kumbara i koalicionit qeverisës dhe kjo i jep më tepër motiv Thaçit. Pasi e kaloi Demarkacionin, më nuk i duhet Ramushi PDK-së, andaj Thaçi ka nisur ofenzivën për ta rrëzuar Ramushin. E tërë klasa politike në pushtet, kanë raporte të afërta me serbët në veri, mirëpo sipas rastit akuzojnë njëri-tjetrin”, ka pohuar Mehmeti.

Sipas tij, Haradinaj është i zënë peng nga Lista serbe, andaj edhe ka heshtur rreth arrestimit të Marko Gjuriqit.

“Haradinaj është i zënë peng nga Lista serbe, rrjedhimisht nga Milan Radojiçiq, andaj ka heshtur për praninë e Gjuriqit në veri si dhe arrestimin e tij. Tashmë që Hashimi arriti qëllimin e tij të Demarkacionit, po luan me Ramushin si maca me miun. Kjo dëshmon se këtu nuk ka parime, por interesa, andaj jemi katandisur kaq keq”, është shprehur më tej ai.

Mehmeti ka theksuar se koalicioni do të rrëzohet deri në verë dhe se zgjedhjet janë afër.

“Besoj se për momentin Ramushi është në duart e Hashimit, ky i fundit po e godet çdo ditë e më tepër. Prandaj, ky koalicion nuk do ta pret verën, zgjedhjet janë afër. E tëra është përplasje e Thaçit, për të fuqizuar veten në kurriz te të tjerëve”, ka shtuar Faton Mehmeti.

Abazi: Haradinaj të ekstradojë Thaçin dhe të dorëhiqet

Image
Haki Abazi

Edhe sipas analistit tjetër Haki Abazi, presidenti Thaçi po “shpërndan” fajin për atë që po ndodhë aktualisht në Kosovë. Mirëpo, sipas tij, Haradinaj e ka merituar këtë nga presidenti, për shkak se ka mbështetur “tradhtarin”.

Abazi në prononcimin për “Bota sot”, ka thënë se Thaçi e ka futur Haradinajn dhe Kosovën në skandal me presidentin turk Rexhep Tayip Erdogan.

“Thaçi po tenton të dërgojë dhe të shpërndajë fajin e asaj që po ndodhë në Kosovë. Haradinaj e meriton këtë gjë, sepse i është mbështetur njeriut që ka tradhtuar secilin partner. Por, ajo që është e tmerrshme, është skandali me të cilin e ka futur Haradinajn dhe Kosovën në gërshërë dhe konflikt të hapur me Erdoganin. Kjo lojë e Thaçit është lojë e djallit dhe me shumë konsekuenca”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, Haradinaj duhet të ekstradojë Thaçin dhe në fund të jap edhe vet dorëheqje, në mënyrë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“Thaçi ka tejkaluar të gjitha nivelet, ai është bërë rrezik për sigurinë e shtetit dhe mendoj se Haradinaj duhet ta ekstradojë Thaçin dhe të japë dorëheqje, për të lejuar zgjedhje të reja, që do të korrektonin këtë process të mbrapshtë dhe shumë të rrezikshëm që është futur vendi”, ka pohuar analisti Haki Abazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat