Analisti politik, Haki Abazi, thotë se, shkëmbimi i territoreve është ide e Dacit dhe Koshtunices për të krijuar Serbinë e madhe.
“Ideja e shkëmbimit të territoreve është e Nexhat Dacit dhe Vojislav Koshtunicës, dhe arsye e vetme është që të realizohet qëllimi i Serbisë për Serbinë e madhe, duke krijuar një precedan dhe për të vënë kontrollin efektiv dhe subordinimi i shteteve dhe ekonomisë rajonale”, thotë Abazi për gazetën “Bota sot”.
Sa i përket presedanit të ndryshimit të kufijve, Abazi thotë se kjo ka të bëjë me Republikën Serbe dhe shkatërrimin e Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe legjitimin e entitetit politik me të drejtë ndarje, si pjesë përbërëse e Serbisë e që është krijuar nëpërmjet gjenocidit.
“Presedani tjetër është që të krijohet situatë e hartave etnike në Ballkan, por që shqiptarëve të mos ju lejohet një gjë e tillë nën nocionin se një shtet i gjithë shqiptarëve është rrezik për Ballkanin”, shprehet ai.
Sa i përket deklaratave të ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahirit, Abazi pohon se, ky është familjar i presidentit Hashim Thaçi dhe këtu nis e përfundon rëndësia e tij në aspektin politik.
“Lugina është duke u mashtruar dhe qasja ndaj Kosovës Lindore është tentimi i Hashim Thaçit për të gjetur një “lëkurë dashi” për tu mbuluar. Ai po fshihet pas Luginës dhe teorive të pavërteta për të tejkaluar momentin dhe kinse po i vë opozitën në lajthitje se kinse ata nuk po duan një gjë të tillë. Kjo është sëmundje që vjen si pasojë e analfabetizmit dhe panjohurisë dhe paranojës për rrezikun që po i kanoset”, përfundon Haki Abazi.