Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e NISMA, Milaim Zeka në një bisedë për “Bota sot” ka treguar se, ish prokurori Nazmi Mustafa, ia kanë shkatërruar familjen dhe e kanë burgosur për shkak që ai nuk u dorëzua përballë kërcënimeve dhe presioneve të ndryshme.
“Unë kam informacione se një ish prokuror i Kosovës, pikërisht pse nuk është dorëzuar përball presioneve dhe kërcënimeve nga më të ndryshmet, ia kanë shkatërruar njeriut familjen dhe e kanë burgosur. Po e them publikisht për “Bota sot”, është fjala për ish prokurorin Nazmi Mustafa. Atij ia kanë shkatërruar jetën, e kanë dënuar, e kanë denigruar, e kanë kërcënuar, e gjithashtu edhe nga ish kolegët e tij prokurorë, që nuk e donin punën e tij”, ka treguar Zeka.
Ai thotë se këto informacione i ka nga ndërkombëtarët.
“Këtë ma kanë thënë ndërkombëtarët, prokurorët finlandezë, prokurorë suedez, që vetëm për shkak se nuk i është dorëzuar presioneve të disa prokurorëve vendor, ia kanë përgatitur kurthin dhe e kanë burgosur njeriun”, vazhdon tutje Zeka.
I pyetur rreth dorëheqjes së prokurorit Blakaj, ai mendon se largimi i tij është për shkak të presioneve politike dhe e sheh shumë shqetësuese këtë dorëheqje për shoqërinë e Kosovës.
“Largimi i prokurorit Blakaj duhet me qenë shqetësim serioz për shoqërinë e Kosovës. Unë i besoj në mënyrë absolute prokurorit Blakaj, dhe mendoj se largimi i tij është për shkak të presioneve politike”, ka përfunduar Zeka për “Bota sot”.