Tahiri flet për deklaratën e Bolton-it

Politika

Tahiri flet për deklaratën e Bolton-it

Gresa Bajraktari Nga Gresa Bajraktari Më 24 gusht 2018 Në ora: 16:46
Ramush Tahiri

Këshilltari për Siguri Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Bolton ka deklaruar sot se Uashingtoni nuk do të përfshihet në idenë për shkëmbim territoresh në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Çështja e arritjes së stabilitetit në Ballkan është shumë e rëndësishme për ne. Prej kohës së shpërbërjes së Jugosllavisë, ka pasur shumë tensione dhe rreziqe. Mirëpo ka pasur edhe zhvillim”, ka thënë ai duke iu referuar kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, derisa u pyet nga Radio Evropa e Lirë se çfarë mendon për idenë e shkëmbimit të territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Mosmarrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një nga çështjet më të rëndësishme. Shumë njerëz kanë tentuar të ndërmjetësojnë. Këto përpjekje kanë dështuar”, është shprehur ai.

“Mirëpo unë mendoj se ka shenja të reja se të dyja Qeveritë mund të kenë vullnet për të negociuar këtë çështje në heshtje. Politika jonë, politika amerikane është që, nëse të dyja palët mund të punojnë me njëra-tjetrën për të arritur një marrëveshje, ne nuk përjashtojmë korrigjimet territoriale. Nuk na takon neve”.

Lidhur me këtë, politologu Ramush Tahiri, në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se presidenti Thaçi ka deklaruar se në takimin e ardhshëm në Bruksel do ta procedojë kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që komuna e Medvegjës, e Bujanovcit dhe e Preshevës t’i bashkangjiten Kosovës.

“Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se do të procedojë kërkesën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës që komuna e Medvegjës, e Bujanovcit dhe e Preshevës t’i bashkangjiten Republikës së Kosovës sipas vullnetit të shprehur me referendum të qytetarëve në mars të vitit 1992. Presidenti Thaçi ka thënë se kjo është një kërkesë legjitime të cilën do ta prezantojë në takimin zyrtar gjatë muajit shtator gjatë procesit të dialogut Kosovë - Serbi që do të mbahet në Bruksel. Presidenti Thaçi ka thënë se nuk do të ketë këmbim territoresh mes popullsish por vetëm korrigjim kufiri ndërmjet Kosovës e Serbisë”, është shprehur ai.

Sipas Tahirit, është në mandatin e tij që të shtojë popullsi shumicën dërrmuese dhe ai thotë se e ka përkrahjen e ndërkombëtarëve, të cilët pajtohen që Kosova e Serbia të gjejnë një zgjidhje.

“Është në mandatin e tij që me këtë veprim të shtojë territorin e Kosovës si shtet për rreth 1.200 kilometra katrorë dhe për rreth 100 mijë banorë shumica dërmuese e të cilëve janë shqiptarë etnik. Presidenti i Kosovës llogaritë që Serbia do të miratojë këtë duke korrigjuar si thotë ai një padrejtësi shekullore ndaj shqiptarëve. Presidenti i Kosovës po thotë se për këtë e ka përkrahjen ndërkombëtare edhe në deklarimet e zyrtarëve më të lartë të shteteve më të fuqishme të botës që po pajtohen që Serbia e Kosova me zgjidhje kreative të arrijnë marrëveshje të vullnetshme për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet të dy shteteve dhe të dy popujve në funksion të paqes dhe të stabilitetit”, ka deklaruar Ramush Tahiri për “Bota sot”.

Ndryshe, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq kanë hedhur ide të ndryshme për përmbylljen e procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Idetë nuk janë nuk janë mbështetur nga aleatët kyçë të Kosovës, pasi Britania e Madhe dhe Gjermania e kanë kundërshtuar një gjë të tillë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat