Deputetët dembelë, Kuvendi rrit shpenzimet

Politika

Deputetët dembelë, Kuvendi rrit shpenzimet

Nebi Ajeti Nga Nebi Ajeti Më 26 gusht 2018 Në ora: 10:10
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka publikuar raportin financiar për shpenzimet e Kuvendit për tre muajt e parë të vitit 2018. Në bazë të këtij raporti, të cilin Kuvendi e ka miratuar në korrik të këtij viti por që është bërë publik tani, shpenzimet për këtë tre mujor në krahasim me tre mujorin e parë të kësaj legjislature (tetor – dhjetor 2017) janë rritur për 20,933.28 euro ose shprehur në përqindje 53%.

Për vetëm tre muajt e parë të vitit 2018 (janar– mars) nga 120 deputetë të Kuvendit të Kosovës, 50 prej tyre kanë realizuar udhëtime zyrtare jashtë vendit. Në total, deputetët për këtë periudhë kohore kanë realizuar 74 udhëtime jashtë vendit të cilat i kanë kushtuar buxhetit të shtetit 60,380.28 €.

Pjesa më e madhe e buxhetit është shpenzuar për mëditje dhe akomodim: 21,205.91€ për mëditje respektivisht 19,239.9 € për akomodim. Ndërkaq, 18,558.47 € janë shpenzuar për bileta të udhëtimit në vendet që janë vizituar nga deputetët dhe 1,376 € për shpenzime të tjera për të cilat nuk janë ofruar të dhëna specifike se për çka janë shpenzuar.

Shpenzime të larta janë realizuar nga ana e Kuvendit edhe për dreka zyrtare. Për tre muaj, deputetët e Kuvendit kanë shpenzuar 14,924.00€ për dreka zyrtare. Kurse, 11,754.51€ janë shpenzuar për karburante për vetura.

Kuvendi pa rezultate pozitave në kuadër të politikes së jashtme

Lidhur me shpenzimet e Kuvendit, Artan Murati nga KDI, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se mungesat e shpeshta të kuorumit si dhe mosefikasiteti në punë shpeshherë kanë krijuar perceptimin tek qytetarët se deputetët janë shumë më të interesuar për mëditjet e tyre e më pak për punë.

Image
Artan Murati

“Kuvendi i Kosovës ka rritur trendin e shpenzimeve, sidomos për udhëtime jashtë vendit, ndonëse në praktikë ende nuk kemi hasur në rezultate konkrete pozitive në kuadër të politikës së jashtme. Për më tepër, konsideroj që shumat e shpenzuara për dreka e karburante janë shumë të larta në krahasim me zhvillimin e përgjithshëm ekonomik në vend. Mungesat e shpeshta të kuorumit si dhe mosefikasiteti në punë shpeshherë kanë krijuar përceptimin tek qytetarët se deputetët janë shumë të interesuar për mëditjet e tyre e më pak për punë. Shpenzimet e tilla, sidomos në mëditje e dreka zyrtare, mund ta rrisin edhe më tepër këtë përceptim. Sesioni vjeshtor do të jetë shumë i ngarkuar me punë për Kuvendin, andaj fokusi i deputetëve dhe i Kuvendit në përgjithësi duhet të jetë në funksionalizimin e institucionit më të lartë në vend, e assesi të prodhohen lajme për shpenzime të paarsyeshme. Është mëse e kuptueshme se Kryesia, deputetët dhe pjesa tjetër e stafit të Kuvendit kanë edhe obligime shtetërore që kërkojnë udhëtim jashtë vendit, dhe ato duhet përmbushur, mirëpo Kuvendi duhet të sigurohet edhe për rezultate konkrete të punës, jo vetëm realizim të vizitave pa ndonjë rezultat konkret” ka përfunduar Artan Murati

Fajet burojnë nga kryesia e kuvendit

Kurse, deputetja e partisë më të madhe opozitare, LDK-së, Lirije Kajtazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se arsyeja kryesorja e punës jo të mirë në kuvend është mungesa e Qeverisë.

Image
Lirije Kajtazi

“Fajet burojnë edhe nga agjendat irracionale që i cakton kryesia me nga 30-40 pika vetëm për t'iu shmangur dy pikave të para që e mbajnë Qeverinë llogaridhënëse para Kuvendit dhe qytetarëve. Ndryshimet- prolongimet në rendin e ditës veç për tëhumbur peshën e çështjeve të ngritura. Kryesorja që devalvoin seancat është mungesa e Qeverisë. Ju lutem, të gjitha burojnë nga kjo, e gjithë kjo qeveri, e madhe e pa peshë. Dhe, kjo duhet rregullohet njëherë e përgjithmonë me Rregullore të Punës së Kuvendit. Deputetet nuk kane as ambiente pune, kështu që duhet ti kenë me vete materialet e " 80 pikave" zvarrë..”, ka theksuar Kajtazi.

Deputetët të ndëshkohen me mëditje

Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, është shprehur se deputetët duhet të ndëshkohen edhe me mëditje, mirëpo edhe me votë të qytetarëve.

Image
Valon Ramadani

“Unë mendoj që çdo deputet që paguhet prej buxhetit të Kuvendit duhet të qëndrojë në sallë. Unë e  kuptoj që gjate ditës  mundet që një  orë apo dy mos me qenë, por duhet që çdo deputet i nënshkruar të qëndrojë dhe të votojë në sallë. Nëse është në pyetje vetëm dhe një pikë në rend të ditës ata duhet me qenë. Duhet të ndëshkohen me mëditje por edhe me votë të qytetarëve. Unë jam pro mëditjeve ajo është në rregull, mirëpo kjo duhet me qenë në rregullore të kuvendit”, ka thënë Ramadani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat