Avokati dhe publicisti Spartak Ngjela, në një intervistë për “Bota sot”, ka dhënë opinionin e tij sa i përket temës më aktuale në Kosovë, atë të prekjes së kufijve.
Ngjela thotë haptas se kryeministri i Shqipërisë dhe presidenti i Kosovës ishin për ndërrime territoresh me Serbinë. Por, Ngjela shprehet se kjo ide ka humbur.
“Nuk di çfarë të them për presidentin e Kosovës, Thaçi, dhe as për kryeministrin shqiptar Rama, se kuptohet që këta kanë qenë dhe kishin vendosur për ndërrimin e territoreve. Ajo që dua të them është mendimi politik se që të tre kanë humbur, por nuk mendoj se e kanë lënë tendencën politike të ndërrimit të territoreve”, ka theksuar Ngjela për “Bota sot”.
Rreth ndikimit të Ramës në dialogun e Kosovës me Serbinë, Ngjela thotë se, Rama me sjelljet e tij politike jep bindjen se edhe ai ka qenë i ngatërruar në atë “valle”.
“Nuk kam fakte, por nga mënyra e sjelljes politike, nga tërheqja e plotë e kësaj çështjeje dhe nga bisedimet bilaterale që tregojnë se Edi Rama ka pasur me presidentin Vuqiç, më jep mendimin me bindje se edhe Edi Rama ka qenë i ngatërruar në këtë “valle”, që kam përshtypjen se historia e afërt do ta konceptojë si anti-kombëtare”, është shprehur Ngjela.