Aktakuzat e para në janar? Përgjigjet Gjykata Speciale

Politika

Aktakuzat e para në janar? Përgjigjet Gjykata Speciale

Nga: N. H Më: 31 tetor 2018 Në ora: 16:15
Gjykata Speciale

Milaim Zeka, deputet nga Nisma Socialdemokrate ka pohuar mbrëmë se arrestimet e para të Gjykatës Speciale do të ndodhin në muajin janar.

“Krejt këto hallakama që po ndodhin në Kosovë, që na kanë zhvendosur prej problemeve reale, janë pikërisht nga frika prej Gjykatës Speciale. Aq sa kam unë informacione arrestimet e para kanë më ndodhë në janar të vitit të ardhshëm, që i bie edhe dy muaj”, ka deklaruar deputeti i Kuvendit të Kosovës.

Derisa deklarimet e Zekës vijnë pikërisht në ditën kur prokurori i Gjykatës Speciale, Jack Smith vizitoi Kosovën dhe takoi Ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri.

E lidhur me ketë, “Bota sot”, ka drejtuar pyetje me shkrim në drejtim të Zyrës së Prokurorit të Specializuar që vepron në kuadër të Gjykatës Speciale.

Nga kjo zyre ketë deklarim të deputetit Zeka nuk e kanë mohuar dhe as pohuar.

Sipas Chris Bennett, ky institucion nuk e diskuton kohën se kur mund të ngrihen akuzat e mundshme.

“Sipas praktikës së zakonshme prokuroriale, Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk e diskuton kohën kur mund të ngrihen akuzat e mundshme”, ka thënë shkurtimisht Chris Bennett nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për “Bota sot”.

Ndryshe, kujtojmë se gjatë ditës së djeshme Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pritur në takim Prokurorin e Specializuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, Jack Smith.

Ministri Tahiri ka shprehur  gatishmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të përmbushur të gjitha obligimet e saja ndaj Dhomave të Specializuara, të cilat janë themeluar me ndryshimet kushtetuese dhe ligjore të miratuara nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat