Të qofshim falë Amerikë

Politika

Të qofshim falë Amerikë

Drilon Rrahmani Nga Drilon Rrahmani Më 7 dhjetor 2018 Në ora: 21:50
Bill Clinton dhe George Bush

Marrëdhëniet Kosovë-Amerikë, historikisht kanë qenë miqësore, që nga koha kur presidenti historik Ibrahim Rugova, takohej me presidentët dhe përfaqësuesit e SHBA-së në atë kohë.

Kur të gjithë ia kthyen shpinën Kosovës, ishte gjithmonë Amerika që i doli në krah shtetit të përvuajtur të Kosovës. Kur të gjithë bënin luftë Speciale kundër Kosovës, SHBA ishte ajo që e ndihmoi kundër armiqve të shumtë.

Kosova duke “notuar” në lumin e padrejtësisë, e hedhur aty nga shumë armiq e tradhtar, ishte Amerika që u bë “barkë” shpëtimi për Kosovën në shumë raste, pa kurrfarë favori, vetëm e vetëm që nuk duronte ta shihte Kosovën nën kthetrat e armiqve dhe tradhtarëve duke bërë padrejtësi.

Amerika për lirinë e Kosovës

Për t’i dhënë fund padrejtësive dhe regjimit serb në Kosovë, Amerika përdori ushtrinë e saj kundër kasapit Millosheviq, që Kosova njëherë e përgjithmonë të fitonte lirinë e saj të merituar si shtet. Falënderimet shkojnë në veçanti për amerikanin, shefin e OSBE William Walker, i cili nuk qëndroi duarkryq përball krimit të Millosheviqit që vepronte me ushtrinë e tij në Kosovë.

Paralajmërimet e Amerikës për Serbinë që ta linte të qetë Kosovën, filluan që nga viti 1992, kur tash i ndjeri George H.W Bush, përmes një letre dërguar Millosheviqit, e kishte paralajmëruar këtë të fundit se Amerika do të ndërhyjë me forca ushtarake në ushtrinë serbe, në rast të ndonjë konflikti në Kosovë.

“Në rast të konfliktit në Kosovë, të shkaktuar nga veprimet e Serbisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë e Serbi”, kështu ka thënë presidenti tashmë i ndjerë, George Bush, në letrën që ia kishte drejtuar Sllobodan Millosheviqit më 25 dhjetor të vitit 1992.

Përmbajtja e kësaj letre kulmoi në vitin 1999, kur Amerika bombardoi Serbinë, për t’i larguar njëherë e përgjithmonë trupat kriminale serbe që kryenin gjenocid në Kosovë.

Amerika, vulë lirisë së Kosovës

Angazhimi i pashoq i SHBA-së për pavarësinë e Kosovës nuk duhet harruar asnjëherë. Me strategjitë e tyre politike dhe apartiake, Amerika shtyu përpara proceset e Kosovës për pavarësi, pavarësisht pengesave dhe rrugës nga kundërshtimet më të ndryshmet.

Me ushtrinë e saj, Amerika mbajti neutrale paqen në rajon dhe rrezikoi vetën përball kundërshtimeve nga disa fuqi tjera botërore, si Rusia e Kina.

Kur e mendojmë se ky angazhim ishte pa asnjë kompensim nga SHBA, çdo shqiptarë duhet të ketë një respekt dhe dashuri të veçantë për shtetin mik të Amerikës.

Kosovës përveç Amerikës si shtet, miqësia nuk mungoi as me përfaqësuesit e saj. Nuk ka asnjë zyrtarë amerikan që kishte raporte të zbehura me Kosovën.

Image

Shtatores Bill Clinton në Prishtinë, duhet t’iu bashkëngjiten edhe disa shtatore tjera të miqve amerikan. Ndoshta kështu sadopak e tregojmë respektin për ta.

Amerika mbrojtëse e lirisë së Kosovës

Tani në vitin 2018, Amerika po e tregon edhe njëherë haptazi miqësinë rreth tri dekadave me Kosovën dhe rolin mes një vëllai të madh dhe të vogël.

Amerika po e përkrah ushtrinë e Kosovës në mesin e shumë kundërshtimeve dhe presioneve të ndryshme, madje edhe  nga NATO. Kjo e fundit doli kundër ushtrisë së Kosovës e cila është në fazën e fundit të përgatitjeve para votimin në Kuvend, i cili do të mbahet me 14 dhjetor.

Amerika është deklaruar se transformimi i FSK-së në ushtri, është hap pozitiv dhe është më se e natyrshme për Kosovën si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse.

Përkufizimi më i mirë për miqësinë Kosovë-Amerikë, do të ishte: Duaje vendin tënd si shqiptarët Amerikën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat