Viktimat e komandantëve “hanë dhe”, për Gjykatën Speciale kryqëzohet LDK-ja

Politika

Viktimat e komandantëve “hanë dhe”, për Gjykatën Speciale kryqëzohet LDK-ja

Idriz Zeqiraj Nga Idriz Zeqiraj Më 15 dhjetor 2018 Në ora: 17:02
Vrasjet e pasluftës, foto ilustrim nga "Bota sot"

Ekstremi i majtë, i tufëzuar në PAN, zotërues i pjesës më të madhe të mediave, është hedhur në sulm kundër LDK-së. Pa reshur, çdo ditë, kasnecët e pushtetit fajësojnë LDK-në dhe ndoca gazetarë e portale, të cilët ende nuk kanë arritur t`i bëjnë zap. Fajësohen për fillimin e - Intervistimeve - nga ana e Gjykatës Speciale, se gjoja kanë denoncuar, padrejtësisht, "komandantët” e UÇK-së tek ndërkombëtarët!" Rrjedhimisht, kërkohet kryqëzimi i LDK-së, si subjekt politik.

Akuzat ndaj LDK-së janë absurde. LDK-ja, si parti, është dëshmuar serioze, e dinjitetshme, tolerante, duke shpresuar se drejtësia do t`i zgjidhë çështjet e hapura, siç janë krimet numerike, gjatë dhe pas luftës, në Kosovë. Realisht, LDK-ja shpresoi, besoi dhe priti më shumë se sa duhej, në organet e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare. Ajo nuk bëri asnjë demarsh, asnjë kërkesë, asnjë ankesë në organet e drejtësisë, për kuadrot, veprimtarët, aktivistët, ushtarakët e kidnapuar, të burgosur, të rrahur, të maltretuar, të vrarë, madje edhe të djegur, deri në karbonizim. Kujtoni kryetarin e LDK-së të Istogut, Shaban Manaj!

Komandantët sharlatanë e mburracakë, të ekstremit të majtë, të LPK-së, me për lavdërimet e tyre për luftën, pa fije mbulese, kanë denoncuar vetën, me shkrime, intervista e deri edhe libra. Dhe, e shkruara mbetet. Ata aq shumë janë vetë lavdëruar, sa kanë bindur botën se "edhe ne i kemi vrarë serbët, s`kemi lënë gjë mangu!" Në fakt, është rrenë e kulluar. Kompensimin e kanë bërë, duke i vrarë shqiptarët e pafajshëm, në pusira, në dritë dhe errësirë.

LDK-ja, por, edhe populli i Kosovës, nëse nuk i di atentatorët, i di mirë listë-bërësit, projektuesit, organizatorët e vrasjeve të kundërshtarëve politikë dhe ushtarakë, si dhe qëllimet e tyre karrieriste pushtetare.

Por, LDK-ja bëri gabim e madh, më saktë, fajin e rëndë, kur në vitin 2007, Parlamenti i Kosovës numëronte 27 deputetë kriminelë dhe LDK-ja heshti, edhe pse ky fakt u debatua, me shqetësim, në Bundestagun (Parlamentin) gjerman. Pra, LDK-ja heshti, nuk e denoncoi futjen e krimit në Parlament dhe vazhdoi bashkëjetesën me banditër ekstremistë, që kishin përgjakur LDK-në dhe Kosovën, gjatë dhe pas luftës. LDK-ja duhej t`i denonconte deputetët kriminelë dhe ta bojkotonte Parlamentin, duke vënë pikën mbi "i", ashtu siç bojkton sot, me të drejtë, Komisionin Dialogues me Serbinë, skajshmërisht, të inkriminuar. 

E vërteta është se komandantët e krimit dhe të tjerët, nuk kanë pasur nevojë, për denoncimin, kallëzimin e LDK-së apo të dikujt tjetër, për krimet e tyre. Sepse, krimet e tyre serike, kanë qenë "një e fshehtë publike", pra, pothuajse, legale. Çfarë e fshehte mund të konsiderohet, kur për realizimin e një aksioni vrastar, aktivizohen, në forma të ndryshme, 41(dyzetë e një) banditër?! Veç tjerash, vihen në dispozicion disa vetura me banditër brenda, të gatshëm për karambolim, ndeshje, me makinat e UNMIK-ut, për ta penguar ndjekjen e mundshme të atentatorëve.

Në mesin e dhjetëra rasteve, të dëshmive faktike, po citojmë vetëm njërin syrësh.

Për ekzekutimin e komandant "Drinit", alias Ekrem Rexha, ka dëshmuar Remzi Shala, shoferi i të akuzuarit të parë, "gjeneral" Sali Veselit:

"Për herë të parë kam kuptuar se po përgatitej vrasja e Drinit në zyrwn e Veselit (Sali), kur Fatosi (nofka e Halil Çadrakut), ka hyrë në zyrë të Veselit dhe i ka thënë atij se "këqyr shka ka shkru ky qen, (për Drinin) në gazetën "Ditët e Shpresës", ndërsa sipas Shalës, Veseli i ka thënë se "ti e di urdhrin dhe Fatosi ia ka kthyer se unë do ta gri këtë bërllok", kishte dëshmuar në gjykatë Remzi Shala, në vitin 2002.

Vrasjen e kanë festuar në "Pojata", ku ishin 13 persona, ndër ta edhe: Sali Veseli, Halil Çadraku, Sadik Halitjahaj, Alush Shala, Xhemajl Beqiraj, në mes tyre edhe Remzi Shala.

Sipas Remziut, Veseli në atë drekë në "Pojata", ka thënë se "ne e vramë Drinin dhe se unë e vras njerin dhe mirë ia lexoj referatin në varrim".

Dëshmia është shumë domethënëse e tërësisht faktike. Komenti është i tepërt. Organizatori i vrasjes në fjalë, Sali Veseli, u dënua me 15 vjet burg. Por, pas dy vitesh, Gjykata Supreme e pafajëson dhe e liron!?! 

Dihet, nga praktika, se si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, njerëzit më të besuar të komandantëve dhe të zyrtarëve të lartë, kanë qenë dhe mbetën shoqëruesit dhe shoferët e tyre.

Shembullojmë:

Shoferi i kryeministrit shqiptar ekzekutoi dy vrasësit e Tribunit të  Demokracisë Shqiptare, Azem Hajdarin. Për ta mbyllur këtë proces, për ta kamufluar të vërtetën e "vrasjes të shekullit", siç cilësohet ky akt makabër, pas vrasjes të Fatmir Haklaj dhe bashkëpunëtorit Kërnaja, Gjykata Shqiptare dënoi me - burg të përjetshëm - Jaho Salihu - Mulosmanin. Fatin e Haklaj e Kërnaja e kanë pasur edhe argatët e komandantëve të Kosovës, si Mark Oroshi, Avni Elezi dhe të tjerë, të ekzekutuar, me urdhër të shefave të tyre, për të humbur gjurmët e krimeve serike të veta.

Refuzimi për - Intervistim - i Remzi Shalës, shofër i Sali Veselit, mund të jetë edhe humbja e besimit tek drejtësia. Në rastin konkret, Sali Veseli dënohet me 15 vjet burg për vrasje dhe pafajësohet, paradoksalisht, nga Gjykata Supreme, pas dy vitesh!? Njëjtë ka vepruar, madje, brenda Gjykatës në Hagë, dëshmitari Shefqet Kabashi, i cili nuk pranoi të dëshmojë, me arsyetimin: "Cila është siguria ime, kur kriminelët sot arrestohen për krimin e vrasjes dhe nesër lirohen me pafajësi, pavarësisht fakteve bindëse për krimin e bërë!?"

Kryeministri Haradinaj shkon më larg se vartësit e tij, të cilët, akuzën për krime të personave të veçantë, ia faturojnë, qëllimshëm, UÇK-së. Vrasjet politike kryeministri ia faturon popullit, me arsyetimin cinik e qesharak dhe krejt të papërgjegjshëm:

"Populli i dalë nga lufta, është i traumatizuar dhe këto gjëra ndodhin kudo". Pra, ai i justifikon krimet dhe gënjen kur thotë se krime të tilla ndodhin kudo. Sepse, krimet politike, qoftë gjatë luftës dhe pas luftës, me qëllim të marrjes të pushtetit me dhunë, janë unike vetëm për Kosovën.

Çfarë lidhje ka populli me vrasjet politike? Asnjë, absolutisht asnjë. Pse t´i vriste populli bijtë e tij, ushtarakët luftë-bërës dhe veprimtarët e LDK-së, shumica syrësh luftëtarë të lirisë?! Të traumatizuarit, zakonisht, vrasin vetën dhe jo veprimtarët dhe ushtarakët e Ibrahim Rugovës. Këndellu, o kryeministër aksidental, distancohu nga krimi dhe kriminelët shqipfolës, sabotues të luftës, për rrjedhojë, argat të Serbisë pushtuese.

LDK-ja nuk i feston as me shampanjë dhe as me krisma armësh gjykimet e "komandantëve" vrastarë, siç bënin ata, kur ekzekutonin ushtarakët e FARK-ut dhe kuadrot e LDK-së. Por, LDK-ja as nuk vajton për kriminelët, sepse ata vranë gëzimin e lirisë; ua ngrinë buzëqeshjen e lirisë shqiptarëve të kudondodhur; i veshën në zinë e përjetshme shimë mijëra familje shqptare; lënë mijëra fëmijë jetimër, sikur nuk u ngopën me plojën e pushtuesit. Ishin po aq të vrazhdët, të egër, të pamëshirshëm dhe cinikë, ndaj kundërshtarëve politikë shqiptarë, sa edhe pushtuesit serbë kundër shqiptarëve.

Viktimat e komandantëve "hanë dhe", kurse këta nuk rrezikohen me jetë, edhe pse për krimet serike të bëra, me sadizëm e gjakftohtësi, e meritojnë ekstremin e ndëshkimit.

Turpi i mbuloftë të gjithë mbrojtësit e kriminelëve. Mbrojtësit e krimit, janë pjesë e krimit. Dhe, si të tillë, duhet përbuzur përjetësisht!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat