Kajtazi: I tejkaluam të gjitha 

Volejboll

Kajtazi: I tejkaluam të gjitha 

Nga: Kemajl Goca Më: 23 prill 2019 Në ora: 16:52
Xhavit Kajtazi

Prishtina Volley pretendon titullin e kampionit të Kosovës në konkurrencën e meshkujve. Volejbollistët e Prishtinës janë të përgatitur në çdo pikëpamje që të ballafaqohen në finalen e madhe të garës përfundimtare, kundër Lubotenit nga Ferizaj. Kryetrajneri i Prishtina Volley, Xhavit Kajtazi, shprehet se e kanë merituar plotësisht që të janë në finalen e madhe. Synimet e tij janë që të dhurojnë lojëra cilësore në ndeshjet finale dhe të sjellin titullin në kryeqytet!     
 
“Bota sot”: Prishtina Volley në finale të play-off-it kundër Lubotenit, sfidë e cila pritet me drithërima nga dashamirët e sportit skofiar, a mendoni se klubi juaj ka qetësinë psikologjike?
Xhavit Kajtazi:
Ne kemi punuar për të prekur finalen e madhe. Po këtë punë e ka bërë edhe rivali ynë për titull të kampionit. Kemi pasur shumë telashe, pa palestër për stërvitje, me arnime episodike, duke shtegtuar nga një palestër në tjetrën, por gjithnjë të bindur se kjo një ditë do të tejkalohet për të krijuar një bazë referuese qoftë për stërvitje, qofte për ndeshje. I tejkaluam të gjitha, madje me sukses dhe ja ku jemi tash, në finale. Me meritë të plotë.
“Bota sot”:  A i keni tejkaluar të gjitha parashikimet me arritjen në finalen e play-off-it të Superligës, pasi që ishit edhe finalist të Kupës së Kosovës?
Xhavit Kajtazi:
Finalen e Kupës e humbëm ngase luajtëm me ekip të përgjysmuar, me shumë lojtarë të dëmtuar. Por kjo tashmë i takon historisë, ne shikojmë vetëm përpara. Misioni ynë nuk ka përfunduar me kaq. Kemi edhe ne vlerat tona që do t’i shpalosim në finale. Kemi fituar dy takimet e pjesës së rregullt të kampionatit, pse mos ta bëjmë këtë edhe në finale. Do të ketë shumë ndeshje para nesh. Gjithçka është e hapur.
“Bota sot”: Prishtina Volley ka të gjithë lojtarët vendorë, a do të jetë një lloji motivimi ndaj Lubotenit që ka disa lojtar të huaj?
Xhavit Kajtazi:
Gjithsesi. Kjo na bën edhe më shumë të vendosur që të tregojmë se lojtarët vendorë kanë vlera, siç po dëshmojmë ne me këtë rast dhe jo vetëm.
“Bota sot”:  Një edicion me mjaft peripeci, sa ishte rrugëtimi i vështirë deri në finale, pasi që në gjysmëfinale në sfidën e parë zunë në thua me Therandën?
Xhavit Kajtazi:
Theranda ka qenë për ne një rivali fortë. Një skuadër që na shkaktuar edhe tri humbje. Por ia dolëm që ta kalojmë me sukses edhe këtë barrierë dhe ja ku jemi – në finalen e madhe. Kjo na bën të lumtur.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat