Përmes një deklarate për mediat, Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) ka konfirmuar shtyrjen pa afat të sezonit 2020-2021. Ky sezon duhej të niste më 4 shtator me Kupën e Federatës, por kryesia e FSHV-së vendosi ta shtyjë startin me 2 javë për shkak të pandemisë Covid-19, me shpresën që Ministria e Shëndetësisë të japë “OK”-in për zhvillimin e aktiviteteve në ambiente të mbyllura.
Gjithsesi, edhe pas dy javëve ende asnjë sinjal nuk ka ardhur nga qeveria shqiptare për rifillimin e eventeve sportive në mjedise të mbyllura, siç është edhe volejbolli.
“Duke marrë parasysh situatën aktuale, kur nuk kemi ende asnjë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë, aktivitetet e FSHV-së shtyhen deri në një njoftim të dytë zyrtar”, shprehen drejtuesit e rrjetës shqiptare.
FSHV shprehet se në momentin që do të vijë “OK” nga qeveria për fillimin e aktiviteteve, Federata do t’u japë dy kohë afat skuadrave për t’u përgatitur para se të nisë sezonin 2020-2021. “Në varësi të kohës që do të mbetet në dispozicion do të komunikohet edhe mënyra e zhvillimit të kampionatit e Kupës”, shprehet FSHV në deklaratën e saj.