Kualifikimet e para për Kombëtaren e Kosovës, ishin një përvojë e re

Volejboll

Kualifikimet e para për Kombëtaren e Kosovës, ishin një përvojë e re

Më: 16 maj 2021 Në ora: 15:15
Kualifikimet e para për Kombëtaren e Kosovës, ishin një përvojë e re

Kualifikimet e para për Kombëtaren e Kosovës në volejboll në Kupat Evropiane, ishin një përvojë e re.

Me një ekip që udhëtoi me mungesa, rifreskime dhe moshë mesatare prej 22,5 vjeç, Kosova synim kishte përfaqësimin sa më të mirë dhe të linte pjesë të historisë atë çka kishte ndodhur në kualifikimet e botërorit.

Në një grup të vështirë me Sllovakinë favorite e padiskutueshme, me Finlandën te e cila u vërejtën gjurmët e strategëve amerikanë të angazhuar në rradhët e veta, e deri te Mali i Zi, një Kombëtare që 7 lojtare të formacionit i kishte me përvojë në klubet evropiane.

Kjo e dinim që do na vështirësonte punën, por assesi dëshirën e vullnetin për përfaqësim të mirë.

Kosova që e kishin marrë të lehtë të gjitha tri ekipet tjera, e fitoi respektin qysh në ndeshjen e parë ndaj Malit të Zi, të cilit ia rrezikoi një set, ku edhepse ishte në epërsi 24:22, e humbi në mungesë të përvojës, e cila ishte në anën e malazezeve.

As ndaj favoritit kryesor Sllovakisë, Kosova nuk hyri me flamur të bardhë.

Përkundrazi, politika e FVK-së për ta dërguar Kombëtaren në këto kualifikime lidhej me dëshirën që të marrim përvojë, e ta zhvillojmë këtë grup.

FVK nuk e zgjodhi rrugën e disa Kombëtareve “të vogla”, që nuk hynë fare në kualifikime, por pranoi të dalë në mejdan e të matet me superfuqitë e këtij sporti, sepse vetëm kështu forcohemi e rritemi.

Imperativ i përzgjedhësit Lorik Ilazi dhe shtabit të tij teknik, ka qenë dhe mbetet zhvillimi dhe përmes ndeshjeve të forta si këto, Kosova kthehet me fytyrë krejt tjetër.

Qershia mbi tortë erdhi në ndeshjen e fundit, ku Kosova iu gëzua asaj që e meritonte edhe dy ndeshje më herët , fitoren e një seti.

E merituam këtë me angazhim e punë edhe ndaj Malit të Zi (26:24) e edhe ndaj Sllovakisë (25:23), por fati deshi që në ndeshjen e dytë ndaj malazezeve të festonim një set 25:14.

Përparimi ynë mahniti edhe të tjerët, duke filluar nga strategu amerikan Jim McLaughlin, delegatët e CEV dhe të gjithë të përfshirët në këto kualifikime, që dhanë komplimente për paraqitjen e Kosovës.

Vërtetë në tabelë na figurojnë akoma 0 pikë, por hap pas hapi, duke mos bërë lëvizje të rrejshme, Kombëtarja me këtë ritëm, shpejtë do të arrijë edhe te pikët.

Vetëm 6 vjet që FVK është pranuar në FIVB dhe CEV, e vetëm gara e tretë që marrim pjesë (paraprakisht FIVB Kualifikimet e Botërorit, CEV Silver League).

Meritat për zhvillimin dhe përparimin e Kombëtares i ka secili i përfshirë në grupin e ngushtë, çdo individ që kontriboi në mbështetjen e FVK-së dhe Kombëtares.

Duke qenë bashkë, kështu jemi më të fortë dhe rruga jonë drejt suksesit do jetë e sigurtë.

Po mbyllim kualifikimet, me super atmosferë të grupit...

Po e mbyllim këtë mision, duke mësuar shumë gjëra, e të bindur që kokëulur dhe me punë, edhe shumë tjera do i mësojmë.

Me një grup 99% nga Superliga, këto kualifikime ishin edhe vlerësim për nivelin e elitës sonë në volejboll, e cila dha sinjale se me këtë angazhim, mund të japë kontribut serioz te Kombëtarja.

Në këto kualifikime vajzave dhe volejbollit në përgjithësi, na munguan “Dardanët”, që shkaku i pandemisë ishte e pamundur ta kemi prezencën e tyre.

Ditë të mira po vinë, Kosova fitoi respekt dhe po rritet bindshëm.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat