Erzeni konfirmon boshtin e skuadrës, rinovojnë edhe dy liderët

Volejboll

Erzeni konfirmon boshtin e skuadrës, rinovojnë edhe dy liderët

Më: 7 korrik 2023 Në ora: 14:38
Erzeni

Erzeni i volejbollit për meshkuj vijon punën për të konsoliduar skuadrën e sezonit 2023-2024.

Shijakasit po tregohen aktivë në merkato, si për sa u përket afrimeve, gjithashtu edhe në konfirmimet e boshtit të skuadrës.

Pas prezantimit të trajnerit të ri, Ilia Koja, klubi ka njoftuar edhe disa konfirmime të rëndësishme, bëhet fjalë për dyshen Anis Çullhaj dhe Asmend Kula.

Dy lojtarë me shumë eksperiencë që kanë mbajtur për vite me radhë peshë të madhe në lojën e Erzenit. Kështu, edhe në sezonin e ardhshëm si Çullhaj, gjithashtu e Kula do të mbrojnë ngjyrat e skuadrës shijakase, e cila vjen me objektiva të mëdha, ku mbi të gjitha synon titullin kampion.

Disa ditë më parë për Erzenin kanë firmosur edhe korçarët Emanuel Driza dhe Klaudio Barçi, ndërsa së fundmi edhe Tomas Koja. Klubi gjithashtu ka konfirmuar për sezonin e ri edhe pasuesin Aldo Dashi, si dhe Fabio Hoxhën. Me formimin e boshtit të lojtarëve vendorë, shijakasit pritet të bëjnë si zakonisht edhe përforcimet e huaja në merkato.

Ndërkohë nga Erzeni ka pasur edhe largime, ku spikat ai i Raul Sabliqit. 19- vjeçari i talentuar është bashkuar me skuadrën e Partizanit. Ndërsa një tjetër lojtar i ri i skuadrës shijakase, Erni Arapi, është transferuar në radhët e Elbasanit..

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat