Nikqi: Serbia gjithnjë kërkon mënyra për të shmangur përballjet me Kosovën

Volejboll

Nikqi: Serbia gjithnjë kërkon mënyra për të shmangur përballjet me Kosovën

Më: 22 korrik 2023 Në ora: 11:51
Melirona Avdullahu-Yllka Jashari

Edhe pse në mungesë totale të kushteve për të zhvilluar sportin e volejbollit në rërë, Kosova befasoi të gjithë kur në Kampionatin Ballkanik U22 që u zhvillua në Maqedoni të Veriut, u shpall kampione në konkurrencën e femrave dhe nënkampione në atë të meshkujve.

Por, një sukses i tillë për Kosovën ishte i pritur sipas sekretarit të Federatës së Volejbollit, Valon Nikqi. Ai thotë se çiftet Melirona Avdullahu-Yllka Jashari dhe Ermal Maliqi-Erion Bajrami që e përfaqësuan vendin tonë kanë potencial të jashtëzakonshëm në këtë sport.

Nikqi: E dinim që do të arrinin sukses në Kampionatin Ballkanik të Beach Volley

“Ne edhe kemi pritur ndoshta jo vendin e parë mirë kemi pritur edhe rezultate që ekipet tona, në të dy konkurrencat që të jemi në podium për shkak se këto ekipet të cila po flasim, pra dyshja Melirona Avdullahu-Yllka Jashari dhe Ermal Maliqi-Erion Bajrami janë potencial në sportin e ‘beach volley’ dhe jo vetëm, por edhe në volejboll, mirëpo në ‘beach volley’, kështu që ne kemi pritur që të jemi në podium duke i ditur aftësitë e tyre. Para disa javësh na kanë përfaqësuar edhe në Kampionatin Ballkanik në konkurrencën e seniorëve kanë pasur paraqitje mjaftë të mira edhe atje, kështu që rezultati për ne është mjaftë i mirëseardhur dhe është investim i viteve të fundit që është bërë në sportin e ‘beach volley’”, tha Nikqi.

Për të arritur deri te sukseset, Kosova dy raunde i kaloi si e lirë pasi që Serbia nuk pranoi të luante sfidat direkte. Nikqi thotë se një gjë të tillë Serbia e bën në çdo garë dhe se synimi i tyre është për t’i minimizuar rezultatet e ekipeve kosovare.

Nikqi: Serbia çdo herë kërkon t’i shmang përballjet me Kosovën

“Serbia jo vetëm kësaj radhe, mirëpo kësaj radhe nuk ka mundur t’i ikë përballjes me Kosovën sepse ata çdoherë kanë gjetur mënyra. Në bazë të rregullores teknike e kanë shfrytëzuar që mund për shkak të lëndimit edhe mos paraqitjes në fushë prej një kohe të caktuar kështu që i kanë shfrytëzuar ata kartonë për mosparaqitje... Kjo është një lloj politike do të thosha agresive që shteti serb mundohet që nëpërmjet sportit ta ushtrojë ose në njëfarë mënyrë ta minimizojë rezultatin e ekipeve tona”, theksoi Nikqi.

Derisa sukseset nuk po mungojnë, Nikqi shprehet i zhgënjyer me mungesën e investimeve në përmirësimin e infrastrukturës sportive në Kosovë. Ai thotë se shpresa mbetet që diçka të lëvizë në këtë drejtim nëse Kosova e fiton organizimin e Lojërave Mesdhetare për vitin 2030.

Nikqi: Shpresojmë që organizimi i Lojërave Mesdhetare ta përmirësojë infrastrukturën

“Me infrastrukturë, jo që jemi prapa, por shumë prapa. Kur aplikojmë për organizim sikurse e kemi rastin tani që organizohet (garat evropiane) për U21, U22 dhe U23, gjatë stinës së dimrit e kemi problemi me ngrohje, tani e kemi një problem tjetër që nuk kemi klimatizim në palestër... Po shpresojmë dhe po pritet që në të ardhmen, sidomos tani pas aplikimit për Lojërat Mesdhetare që në të ardhmen të paktën mos ta kemi problemin e palestrave sportive, përndryshe, kushtet që ofrohen tani mos të them nuk janë optimale, por minimale, mirëpo ne si federatë tentojmë gjithmonë ta japim maksimumin që të marrim organizime sa më shumë t’i kemi në Kosovë në mënyrë që të dalim sa më mirë edhe ne si federatë”, deklaroi Nikqi.

Organizimi dhe angazhimi në shumë ngjarje vendore e ndërkombëtare, Nikqi thotë po sjellë edhe shpenzime të mëdha federatës, andaj kërkon mbështetje më të madhe financiare nga Ministria e Sportit, derisa thotë se është shqetësues fakti që Komisioni për Sponzorizime brenda kësaj ministrie nuk po i kryen me kohë kontratat e ofruara për klubet dhe federatat, gjë e cila po shkakton telashe të mëdha financiare.

Nikqi: Komisioni për Sponsorizime nuk po punon me kapacitete të plota

“Nëse flasim prej këtyre federatave kolektive jemi prej federatave që nuk është se e kemi buxhetin shumë të madh, mirëpo me mjetet që i përfitojmë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit , e gjithashtu në fushën e sponsorizimit që ndoshta nuk është një vlerë shumë e madhe që e marrim, por po mundohemi t’i menaxhojmë, deri më tani ia kemi arritur me sukses... Tani pas përfundimit të këtyre garave pritet që t’i kemi edhe disa kontrata me sponsor që i kemi pasur, mirëpo tani në bazë të informacioneve që i kemi, Komisioni për Sponsorizime që është në kuadër të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ndoshta nuk është duke u punuar me kapacitete të plota, por po shpresojmë që edhe kjo do të rregullohet në mënyrë që mundësitë që i kanë federatat dhe klubet sportive mos të kenë vonesa për shkak se këto shfaqin probleme gjatë aktiviteteve”, theksoi Nikqi.

Ndryshe, Kosova është duke marrë pjesë në kualifikimet për në Kampionatin Evropian U22 në konkurrencën e femrave që po zhvillohet në Republikën e Çekisë. Vashat dardane janë në grup me Çekinë, Turqinë dhe Austrinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat