Partizani e Barleti debutojnë me fitore

Volejboll

Partizani e Barleti debutojnë me fitore

Më: 16 shtator 2023 Në ora: 16:21
Barleti

Superliga e volejbollit të femrave ka nisur dje edicionin 2023- 2024 me dy ndeshje për javën e parë të kampionatit, takime që nuk dhuruan asnjë surprizë, me Partizanin dhe Barletin që siguruan fitore të pastra në transfertë.

Të kuqet, tashmë të drejtuara në pankinë nga trajnerja Amarilda Prenga, nuk e patën aspak të vështirë të merrnin 3 pikët e para, teksa mundën 3-0 Teutën në Durrës.

Kampioneve në fuqi u mjaftuan vetëm 57 minuta lojë për t’i mbyllur llogaritë. Për bregdetaret nuk mjaftoi vetëm dëshira, pasi diferencat kualitative mes dy ekipeve janë shumë të mëdha.

Gjithsesi, në setin e parë vendëset e drejtuara nga Edmond Jazexhi provuan të rezistonin, duke realizuar 19 pikë.

Ndërsa në dy setet e tjera loja nuk kishte histori, me Partizanin që fitoi thellë, përkatësisht 25-11 dhe 25-8. Klavia Petëza me 14 pikë, Joana Kushi me 13 dhe Xhovana Kaçorri me 10 ishin pikëshënueset më të mira në radhët e kryeqytetaseve. Ndërsa për Teutën numrin më të lartë të pikëve e regjistroi Romina Matoshi, 7. Debutim i suksesshëm në kampionat edhe për Barletin, që dje mundi Lushnjën 3-0 në transfertën e zhvilluar në Farkë, takim që zgjati 1 orë e 20 minuta.

Universitaret e trajnerit Altin Gorenxa triumfuan bindshëm në të tria setet, respektivisht në shifrat 25-14, 25-20 dhe 25-19. Esmeralda Tuci me 14 pikë dhe Desjona 13 kishin rendimentin më të lartë në sulm për Barletin. Ndërsa Xhenifer Pira u prezantua me 7 pikë të realizuara me skuadrën universitare. Në kampin tjetër, për Lushnjën, që tashmë shpreson të rikthehet sa më për t’i luajtur ndeshjet në shtëpi në palestrën e rikonstruktuar, pikëshënuesja më e mirë ishte Albina Sema me 9.

Java e parë e Superligës do të kompletohet sot me dy takime në pallatin e sportit “Tamara Nikolla” në Korçë, aty ku fillimisht në orën 13:00 Pogradeci debutues në elitë, luan ndaj Tiranës dhe më pas në orën 17:00 Skënderbeu vendës pret Vllazninë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat