Kosova e Italia me bashkëpunim të ri në volejboll

Volejboll

Kosova e Italia me bashkëpunim të ri në volejboll

Më: 29 shtator 2023 Në ora: 23:10
Bahri Gjinovci e Giuseppe Manfredi

Presidenti i Federatës së Volejbollit të Kosovës Bahri Gjinovci, ka udhëtuar në drejtim të Tiranës për takim të veçantë me presidentin e Federatës Italiane të Volejbollit, Giuseppe Manfredi, i cili qëndroi në kryeqytetin shqiptar në një vizitë dy ditore, me ftesë të Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV).

Gjatë takimeve e bisedave përgjatë dy ditëve, presidenti Bahri Gjinovci, duke iu falënderuar edhe nikoqirit Erlind Pëllumbi, ka biseduar me të parin e volejbollit italian për shumë çështje me rëndësi për të dyja palët.

Gjinovci e Manfredi, e kanë realizuar takimin në Tiranë, i cili i pason takimet e mëhershme që i kanë patur në eventet e mëdha të volejbollit botëror.

Federata Italiane e drejtuar nga z. Manfredi, ka shprehur gadishmërinë e sinqertë që të jetë më afër volejbollit tonë.
Manfredi i ka ofruar homologut të tij kosovar që tu mundësohet trajnerëve tanë të jenë pjesë e grumbullimeve të Kombëtares Italiane në të dyja gjinitë.

Poashtu palët u pajtuan që ekspertë të volejbollit italian, trajnerë të grupmoshave të reja te djemtë e vajzat, të qëndrojnë në Kosovë, duke kontribuar direkt në këto grupmosha.

Manfredi, i cili edhe më herët është njoftuar hollësisht me ritmin e përparimit të klubeve, nivelit të garës dhe organizimeve të FVK-së, ka treguar haptazi simpatinë e tij për volejbollin e vendit tonë.

Ai i dhuroi një fanelë të Kombëtares italiane të parit të FVK-së Bahri Gjinovci.

Italia si superfuqi e sportit të rrjetës, do të jetë një aleat i rëndësishëm në hapat tjerë zhvillimor, që janë në planin e punës së FVK-së, ka thënë mes tjerash Gjinovci.

Manfredi pritet që së shpejti ta vizitojë edhe Kosovën, ftesë të cilën e pranoi nga homologu i tij kosovar.

Qëndrimin e tij në Tiranë, kreu i Federatës Italiane të Volejbollit, e ka cilësuar të frytshëm,  duke i llogaritur si partnere serioze të dy federatat, atë të Kosovës e Shqipërisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat