Gjinovci tregon për rëndësinë e marrëveshjes

Volejboll

Gjinovci tregon për rëndësinë e marrëveshjes

Më: 16 nëntor 2023 Në ora: 15:22
Manfredi e Gjinovci

Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Federatën Italiane të Volejbollit (FIPAV).

Marrëveshja është nënshkruar sot, nga presidentët e këtyre Federatave Bahri Gjinovci e Giuseppe Manfredi, në selinë e Komitetit Olimpik të Kosovës.

I pranishëm, për të dhënë përkrahjen e tij ka qenë edhe zv. Presidenti i Konfederatës Evropiane të Volejbollit, Renato Arena, përmes prezencës të së cilit është konfirmuar edhe mbështëtja e shtëpisë evropiane të volejbollit në këtë projekt.

Presidenti i FVK-së Bahri Gjinovci ka folur për rëndësinë e kësaj marrëveshje, të arritur me një vend që është superfuqi në sportin e volejbollit.

“Pas shumë bisedave që i kemi patur me z. Manfredi, jam shumë i lumtur që nga sot federata italiane, si superfuqi e volejbollit, do të jetë partner i Federatës së Volejbollit të Kosovës, në aspektin e zhvillimit të volejbollit e me theks të veçantë në atë të zhvillimit të trajnerëve” – ka thënë mes tjerash Gjinovci.

Në anën tjetër Manfredi, ka folur për përvojat nga bashkëpunimet dhe ndihmën, që Italia e ka dhënë edhe për vendet tjera si Irlanda, Shqipëria, Turqia etj.

Manfredi ka thënë se ka parë pasion e dëshirë të veçantë te drejtuesit e Federatës së Volejbollit të Kosovës, me të cilën nga sot e fillojnë edhe bashkëpunimin reciprok.

Shenjat e para të këtij bashkëpunimi do të vërehen në kampin përgatitor, që sot e nesër do të mbahet në Prishtinë, e ku 4 trajnerët më të mirë në Itali për grupmoshat e reja, do të ndajnë njohuritë e tyre me djemtë e vajzat e përzgjedhura nga kombëtaret e të rinjëve dhe të rejave.

Gjinovci në fund, i ka dhuruar nga një fanelë të personalizuar të Kombëtares së Kosovës në volejboll, Presidentit të FIPAV Giuseppe Manfredi dhe zv. Presidentit të CEV Renato Arena.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat